Policia financiare e Maqedonisë deklaroi se kishte ngritur padi për keqpërdorim të detyrës kundër ish-shefit të shërbimit të prokurimit të qeverisë, Vase Donevski.
Bashkëpunëtori i tij i dyshuar në krim është biznesmeni austriak, Wolfgang Gamper, i cili ka në pronësi kompaninë Securicom, që ishte e ngarkuar me pastrimin dhe sigurimin e ndërtesës së qeverisë dhe të ministrive të tjera.
Kreu i policisë financiare, Arafat Ademi, tha se në vitin 2015, Donevski dhe Gamper manipuluan një tender qeveritar me vlerë rreth 10.7 milionë euro, për të siguruar që kompania e z. Gamper ta fitonte atë.
Hetimi deri më tani zbuloi se për të anashkaluar procedurën elektronike të tenderimit dhe për të eliminuar konkurrencën reale, Donevski në vitin 2015 ftoi tetë kompani që ishin ose në pronësi të Gamper ose kishin lidhje të tjera biznesi ose private me të, për të marrë pjesë në konkurs.
Në fund, vetëm një kompani, Securicom, aplikoi për tenderin dhe e fitoi atë, tha z. Ademi. Ai tha se gjatë arrestimit të z. Donevski, policia financiare sekuestroi pajisjet elektronike dhe mjetet që mund të përdoren si prova.
Ai tha më tej se automjeti në pronësi të z. Donevskit fillimisht ishte blerë nga Securicom.
Vetëm nëpërmjet hetimit të BIRN-it në Maqedoni, i quajtur “Njollat në Tenderin e Pastrimit të Qeverisë”, i cili u botua në gusht të vitit 2016, kjo çështje u bë e njohur edhe për publikun.
Në atë periudhë, BIRN shkroi se Donevski i lejoi Securicomit të krijonte një konkurrencë të rreme nëpërmjet kompanive të lidhura me të, në mënyrë që të krijonte një perceptim të rremë se disa kompani po përmbushnin detyrën e kërkuar. Për pasojë, nuk kishte konkurrencë të vërtetë dhe kompania fitoi tenderin, duke ofruar një çmim që ishte vetëm 16 dinarë (rreth 25 cent) më i ulët se vlerësimi fillestar. Pikërisht kjo deklaratë e asaj kohe u konfirmua së fundmi edhe nga autoritetet e policisë financiare.
Suzana Petrovska, nga policia financiare, deklaroi se objektet e njëjta të qeverisë tani po pastrohen për një çmim që është 45% më i ulët se ai i mëparshmi, vetëm për shkak se konkurrenca reale u lejua në tenderin e ri.