Ministri i Transportit, Mile Janakieski, u ka dhënë përgjigje negative kërkesave që kompania hekurudhore MZ të privatizohej pjesërisht, duke thënë se qeveria do ta modernizojë vetë sistemin e vjetruar.
Sipas tij, në rast se do të ndodhë kjo, atëherë do të ishin të detyruar të pushonin nga puna qindra punonjës.
Ministri iu përgjigj thirrjeve nga Shoqata Maqedonase e Transportit për liberalizimin e sektorit të transportit në përgjithësi, në mënyrë që kjo të sjellë çmime më të ulëta dhe shërbim më të mirë.
“Ne kemi nevojë për transport modern dhe efektiv. Vetëm liberalizimi në bazë të përvojës europiane do të përmirësojë kushtet”, ka pohuar kohët e fundit, Ivan Petrovski, kreu i Shoqatës.
Kompania Hekurudhore Sllovene dhe firma çeke “Loco Trans” kanë shprehur tashmë interesin për të marrë pjesë në biznesin hekurudhor maqedonas, i cili ka një vlerë prej 30 milionë eurosh në vit.
Por Ministria e Transporteve, në fakt, njoftoi se do të amendonte ligjin për sistemet e hekurudhave, në mënyrë që të ndalohet hyrja e operatorëve të huaj, derisa vendi të futet në BE.
Qeveria tha se ndërkohë do të investonte më shumë në kompaninë hekurudhore për të modernizuar sistemet e saj dhe për ta bërë më konkurruese në tregun rajonal.
Ndërkohë, pak ditë më parë, MZ rriti çmimet e biletave me rreth 50%, duke zemëruar banorët e periferisë, të cilët udhëtojnë çdo ditë nga provincat e kryeqytetit drejt Shkupit.
Kompania tha se do të përdorë këto para për modernizimin.