Kompania amerikane NYSK holding do të ngrejë një fabrikë për prodhimin e vajit të kanabisit për nevoja mjekësore në Shkup.
Investimi i përgjithshëm për pesë vjet do të jetë mes 3-5 milionë dollarë. NYSK Holding tashmë ka investuar gjysmë milion euro në rinovimin e këtij objekti mbi 2,000 metra katrorë. Kompania tashmë ka punësuar 15 persona me orar të plotë dhe me të ardhura mbi mesataren dhe ka në plan që të punësojë 50 deri në fund të vitit dhe 200 persona në pesë vitet e ardhshme.
Ministri i Investimeve të Huaja, Xheri Naumof tha se “vetëm disa shtete në botë kanë të drejtë ligjore të kultivojnë dhe eksportojnë kanabis mjekësor, tani Maqedonia është një prej tyre dhe kjo na bën destinacion të ri për këtë industri me rritje të shpejtë”, theksoi Naumof.
Zëvendëskryministri dhe ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, tha ky investim është rezultat i angazhimeve të qeverisë dhe ministrisë për mundësim të përdorimit të kanabisit në qëllime mjekësore në Republikën e Maqedonisë. Me këtë investim, theksoi ai, i vendosim themelet e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore. / Zhurnal