Kompania turke “Sisecam” shqyrton mundësinë e zgjerimit të qëllimit fillestar për të investuar 50 milionë euro në Maqedoni, duke e shtuar në 150 milionë euro për ndërtimin e dy uzinave më shumë për prodhimin e xhamit të sheshtë dhe atij frontal të makinave. Vendimi duhet të miratohet në dy muajt e ardhshëm, tha zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Vlladimir Peshevski, pas takimit me drejtuesit e kompanisë në Stamboll. “Sisecam po mendon për zgjerimin e planit fillestar për ndërtimin e një fabrike me qëllim prodhimin e xhamit të sheshtë dhe atij ballor. Vendimi i tyre nuk ka kaluar ende, por e presim atë në dy muajt e ardhshëm”, theksoi zëvendëskryeministri Peshevski, i cili është pjesë e delegacionit të IRJ të Maqedonisë, në Samitin e 14 Ekonomik Euroaziatik në Stamboll, të organizuar nga Fondacioni Marmara.
Sipas tij, trendet ekonomike ishin pozitive, nëse merret parasysh performanca e kaluar, e tashme dhe e ardhshme.
“Ekonomitë janë në rritje. Turqia regjistroi një nga rritjet më të mëdha të PBB-së në vitin 2010 dhe kompanitë janë duke punuar për të shkuar përtej kufijve të vendit, ndërkohë që IRJ e Maqedonisë është një destinacion interesant për investime. Qeveria do të bëjë gjithçka në fuqinë e saj për të ofruar ndihmë në proces”, shtoi Pesevski. Ai gjithashtu ju referua edhe investimeve turke në Maqedoni, duke përfshirë investimet e TAV në aeroportet e Shkupit dhe të Ohrit, ndërtimi i kullave “Cevahir Holding”, fabrikës së ngjitësit në Berovë, si dhe Klinikës Europiane së syve në Shkup.
“Ka një trend investimesh në rritje dhe në qoftë se e shikon në atë që është deklaruar, është e qartë se mbështetja politike e dhënë vitin e kaluar po jep rezultate në sektorin ekonomik. Detyra jonë është për të shfrytëzuar këtë impuls pozitiv në maksimum”, theksoi zëvendëskryeministri për Çështjet Ekonomike, Vlladimir Peshevski.