Korporata Ndërkombëtare e Kanabisit, ICC International Cannabis Corp, ka njoftuar se si pjesë e përvetësimit të kanabisit të Ballkanit, kjo korporatë ka shfaqur interes edhe ndaj prodhuesit të produkteve farmaceutike të Maqedonisë, Alkaloid AD Skopje (Alkaloi).
Kompania Alkaloid, me seli qendrore në Shkup të Maqedonisë, ka një fuqi punëtore me rreth 1,800 punonjës. Shkupi, përveçse kryeqyteti i Maqedonisë, është edhe qendra ekonomike dhe metropol i vendit. Alkaloidi ka një rrjet prej 16 filialesh në mbarë botën, të vendosura në një sërë juridiksionesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusinë, Zvicrën, Kroacinë, Slloveninë, Bullgarinë dhe Turqinë.
Kjo kompani zotëron edhe një konsorcium të fabrikave prodhuese farmaceutike dhe kozmetike, duke përfshirë objektet e certifikuara nga GMP. Sipas pasqyrave financiare të audituara në 2017, Alkaloid raportoi mbi 171 milionë dollarë të ardhura. Alkaloidi ka rreth tetë dekada përvojë në drejtim të prodhimeve farmaceutike, kozmetike, si dhe përpunimin e materialeve botanike. Objektet e prodhimit farmaceutik të Alkaloidit dhe laboratorët hulumtues të saj janë të niveleve të larta dhe certifikuar nga kjo industri. Kompania ka publikuar së fundmi edhe blerjen e licencave të kultivimit dhe nxjerrjes së kanabisit mjekësor në Maqedoni, si dhe licencat mjekësore të kanabisit mjekësor në Bullgari dhe të kultivimit të kërpit.
Alkaloidi ka zbuluar së fundi për publikun edhe Institutin për Zhvillimin dhe Kontrollin e Cilësisë prej 1,540 metrash katrorë, me vlerë rreth 8 miliardë euro.
Korporata Ndërkombëtare e Kanabisit, ICC, synon të nxisë Institutin për Zhvillimin dhe Kontrollin e Cilësisë, që të kryejë kërkime të kanabinoidëve dhe kontrollin e cilësisë në kanabisin mjekësor të Europës Lindore dhe kulturat CBD (kanabinoide).
Eugene Beukman, drejtoreshë ekzekutive e Korporatës Ndërkombëtare të Kanabisit, ICC, deklaroi se aksionet e korporatës ICC në Alkaloid, e pajisin kompaninë me një partner rajonal dominues me mbi tetë dekada përvojë në drejtim të prodhimeve farmaceutike. Përvoja shumëvjeçare por mbi të gjitha e një niveli shumë të lartë e kompanisë Alkaloid, së bashku edhe me lehtësitë më të fundit të laboratorëve kërkimorë do të jenë një ndihmë e madhe për ne, tha më tej znj. Beukman.
Alkaloidi ka përvojë edhe në drejtim të prodhimeve kozmetike dhe të përpunimit të materialeve botanike. ICC-ja planifikon të marrë shembull nga përvoja shumëvjeçare e Alkaloid për të rritur aftësitë e saj të përpunimit të kulturave CBD-së. Ajo ka në plan të bashkëpunojë me Alkaloid për të prodhuar edhe produkte kozmetike.
Tregu global i kërpit u vlerësua në 5.7 miliardë dollarë në vitin 2018 dhe pritet të rritet në 22 miliardë dollarë deri në vitin 2022.
Korporata International Cannabis, ICC, nëpërmjet filialeve të saj, po zhvillon një platformë botërore për kultivimin, nxjerrjen, formulimin dhe shpërndarjen anembanë globit, si në Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkë, Poloni, Zvicër, Gjermani, Maqedoni, Bullgari, Greqi, Itali, Portugali, Maltë, Kolumbi, Argjentinë, Australi, Afrikë e Jugut dhe Lesoto.