Maqedonia planifikon që të ndërtojë pjesën më të madhe të superstradës drejt Shqipërisë dhe Bullgarisë me forcat e veta, pasi përpjekjet për të gjetur investitorë privatë kanë dështuar.
Ministria e Financave ka pohuar se pjesë të rrugës lindore që kalon nga Bullgaria drejt Shqipërisë, që përbëjnë pjesë të Korridorit 8, do të financohen përmes huave të siguruara nga qeveria.
“Një gjë është e qartë, ne do të na duhet të ndërtojmë pjesë të autostradës me forcat tona, duke siguruar hua”, ka pohuar ministri i Transporteve, Mile Janakieski.
Njoftimi erdhi pasi tenderi për projektin dështoi tetorin e kaluar, pa as edhe një ofertë të vetme të mbërritur në adresë të Ministrisë së Transporteve, pas katër viteve përgatitje.
Qeveria e Shkupit kishte shpresuar se ndonjë kompania private mund të merrte përsipër projektin në këmbim të së drejtës për të mbledhur pagesa për të kaluar në rrugën e përfunduar.
Më parë, qeveria e qendrës së djathtë e VMRO-DPMNE besonte se koncesionet ishin metoda më efektive sa i përket kostos për të financuar rrugët e reja, në vend të kërkimit të huave të reja.
Vlerësimet e mëparshme kanë treguar se i gjithë sektori maqedonas i Korridorit 8 mund të kushtojë rreth 1 miliard euro. Maqedonia duhet ende që të përfundojë pjesë të mëdha të superstradës.
Vetëm seksioni i Korridorit 8 rreth Shkupit dhe një tjetër që lidh kryeqytetin me qytetet perëndimore të Tetovës dhe Gostivarit janë të përfunduara dhe po funksionojnë si superstrada.
Vendi i ofroi rrugët e veta me koncesion në gusht 2008 dhe deri në nëntor të 2010-s, pesë kompani ndërkombëtare u parakualifikuan për ofertën. Gjithsesi, pas shumë shtyrjesh, asnjë nuk dorëzoi një ofertë.
As rruga më e rrahur e Maqedonisë, superstrada veri–jug pothuajse e përfunduar që kalon nga Serbia në Greqi, që formon pjesë të Korridorit Europian 10, nuk ishte mjaftueshëm tërheqëse për koncesion.