Prizma dhe Rrjeti hetues gazetaresk ballkanik paraqitën bazën e re të të dhënave për investimet e huaja në Maqedoni, transmeton Zhurnal.
Në këtë bazë mund të shihen të gjitha investimet e paralajmëruara, të realizuara, por edhe investimet të cilat kanë qenë të paralajmëruara por asnjëherë nuk janë realizuar. Mund të shihet dhe numri i të punësuarve në secilin investim të huaj, si dhe shuma e investimit.
Sipas të dhënave, qeveria nga viti 2007 deri tani ka paralajmëruar 138 investime të huaja, nga të cilat janë realizuar vetëm 51. Në punim e sipër janë 44 investime, ndërsa 43 investime asnjëherë nuk janë realizuar.
Kur bëhet fjalë për vlerën e investimeve, janë paralajmëruar 3,79 miliardë euro, ndërsa deri tani janë investuar vetëm 579,64 milionë euro.
Nga 62.701 punësime të paralajmëruara, investitorët e huaj kanë punësuar vetëm 20.246. Më së shumti të punësuar ka në Drakslmaier, 5.507 persona.
/ Zhurnal.mk