Qeveria e Maqedonisë i ka mbijetuar një mocioni mosbesimi të nisur nga opozita konservatore, e cila e akuzoi atë për keqpërdorim të marrëdhënieve me vendet fqinjë, teksa njëkohësisht nuk arrinte të kontrollonte korrupsionin ose të ndalonte stanjacionin ekonomik.
Në një votim, të 62 ligjvënësit nga koalicioni qeverisës i majtë në Parlamentin me 120 vende refuzuan mocionin, ndërsa 40 ligjvënës të opozitës e mbështetën atë. Partia Konservatore VMRO-DPMNE pohoi se qeveria (prej 11 muajsh) e udhëhequr nga socialdemokratët ka përdorur institucionet shtetërore dhe gjyqësorin e vendit për përfitimet e saj.
Partia nacionaliste e opozitës i kundërshtoi po ashtu lëvizjet e qeverisë për të përmirësuar marrëdhëniet me Greqinë dhe Bullgarinë fqinje, për të përshpejtuar përpjekjet e Maqedonisë për t’u bashkuar me Bashkimin Europian dhe NATO-n. Anëtarët e opozitës pretenduan se marrëveshja e miqësisë me Kryeministrin Zoran Zaev e nënshkruar në janar të këtij viti ishte e dëmshme për interesin kombëtar, teksa ata e akuzuan atë për keqpërdorimin e një mosmarrëveshjeje me Greqinë mbi emrin Maqedoni.
“Zaev, ju po drejtoni një prej qeverive më joefektive dhe të papërshtatshme në historinë e vendit tonë”, iu drejtua atij me tone të ashpra, Dragan Danev, koordinatori parlamentar i VMRO-DPMNE-së, gjatë një debati 11-orësh mbi mocionin e mosbesimit. “Këtu, nuk flas vetëm në emrin tim, apo në atë të partisë sime, por ky fatkeqësisht është edhe mendimi i pjesës më të madhe të njerëzve. Kjo qeveri e ka treguar dhe po e tregon se nuk ka kapacitet për të mbajtur pushtetin ekzekutiv”, tha më tej z. Danev.
Në kundërpërgjigje të akuzave të mësipërme, Z. Zaev u shpreh se pjesën më të madhe të problemeve, qeveria e tij e ka trashëguar nga VMRO-DPMNE, e cila ka drejtuar Maqedoninë nga 2006-‘16 dhe u mposht kryesisht, për shkak të skandaleve mbi çështjet e korrupsionit.
Maqedonia është tronditur nga krizat e njëpasnjëshme politike të shënuara nga rivaliteti i ashpër midis partive politike, sidomos gjatë këtyre viteve të fundit. Ndërkohë, ekonomia e saj ka ndaluar në stanjacion. Pjesërisht për të nxitur ekonominë, z. Zaev po përpiqet të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë me BE-në, duke zgjidhur një prej pengesave më të mëdha, mosmarrëveshjen me shtetin fqinj, Greqinë, mbi emrin Maqedoni.
Në të kaluarën, Athina e ka kundërshtuar fqinjin e saj verior duke përdorur emrin Maqedoni, duke thënë se kjo gjë do të nënkuptonte pretendime territoriale në krahinën e saj në veri me të njëjtin emër. Por ministri i Jashtëm grek, Mikos Kotzias, deklaroi se do të duhej të bëhej një kompromis në mënyrë që të dyja vendet të përfitonin nga zgjidhja e mosmarrëveshjes.
“Shpresoj se kjo do të jetë në të mirë të të dyja palëve”, u shpreh gjatë një vizite në Beograd, ministri grek Kotzias.