Sipas mediave vendase, qeveria e Maqedonisë i ka dorëzuar Parlamentit draftin për rishikimin e buxhetit, përmes të cilit ajo kërkon një fond shtesë prej 36.4 milionë eurosh (41.2 milionë dollarë).
Fondi shtesë do të përdoret për kompensimin e dëmit në zonat e përmbytura.
Rishikimi i buxhetit u njoftua më parë nga kryeministri teknik maqedonas, Emil Dimitriev, i cili e cilësoi një veprim të tillë si të domosdoshëm për të përballuar situatën që u krijua nga përmbytjet e 6 gushtit, të cilat shkaktuan 21 viktima dhe dëme të mëdha ekonomike.
Rishikimi i buxhetit pritet të rrisë edhe deficitin nga 3.6% në 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke shkuar nga 334.4 milionë euro (378.7 milionë dollarë) në 375.9 milionë euro (425.7 milionë dollarë).