Qeveria teknike i ka dhënë vetes të drejtën të kontrollojë ekonominë në Maqedoni, thonë analistët.
Kriza politike nuk po e ngadalëson huamarjen. Analistët ekonomikë theksojnë se nuk duhet që qeveria teknike, mandat i së cilës është vetëm për mbajtje të zgjedhjeve që të merret me huamarrje të reja, sepse gjendja me borxhet tani më hyn në një zonë të kuqe. Ekonomisti Visar Ademi thotë se: “Në këtë situatë qeveria teknike duhet të zbatojë zgjedhje dhe të mundësojë transferim të qetë të qeverisë, por ata i dhanë të drejtë vetes që të rregullojnë jetën ekonomike në Maqedoni, kështu që po futet në borxhe, shpall tenderë, harxhon para, diçka që është detyrë e qeverisë së re. Kjo absolutisht nuk është në rregull, kjo që po ndodh tani, tregon se sa janë institucionet të brishta, dhe sa partia e cila deri tani ishte në qeveri i posedon institucionet”, thotë Ademi.
Nga LSDM thonë se në buxhet ka para të mjaftueshme për pagimin e detyrimeve momentale të shtetit për të cilën vërtetim ka edhe nga ministria përkatëse.
“Koha e pakontrolluar e huamarjes të qytetarëve të cilët qeveria e deritanishme e bënte në mënyrë jotransparente dhe për harxhime joproduktive e rriti borxhin publik në nivel më të lartë historik prej 50,1% nga BPV. Urgjentisht duhet të zhbllokohen proceset demokratike dhe të formohet qeveria e re reformuese e qytetarëve, e cila në mënyrë transparente dhe përgjegjëse do të udhëheqë me finansat publike që është në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, thuhet në reagimin e tyre me shkrim në lidhje me huamarrjen. Në këtë reagim nga VMRO-DPMNE, prej ku thonë se “borxhi shtetëror dhe aksionet e letrave shtetërore me vlerë u bënë mjet i vazhdueshëm propagandistik i LSDM-së”.
“LSDM si duket po përballet me pakënaqësinë e popullit nga pranimi i tyre të platformës së Tiranës, dhe përpiqen në çdo mënyrë të hapin tema vetëm që të mos flitet për participimin e tyre në qeverinë e Tiranës. Çdo herë kur dëshirojnë që diçka të fusin nën tepison dhe të defokusojnë publikun nga ngjarjet politike, ata qëndisin poezi për “skenare greke” dhe bankrote. Që ironia të jetë më e madhe, para dy ditësh agjencia kredituese Standard dhe Purs në raportin e tyre shkruan se borxhi i shtetit është i ulët”, reaguan nga VMRO-DPMNE.
Nga Ministria e Financave me deklaratë theksuan se udhëheqin politikë përgjegjëse për menaxhimin me borxhin publik, e cila nuk është dhe nuk mund të jetë lëndë e manipulimeve ditore politike. / Zhurnal