Këshilli Kombëtar i Maqedonisë për Zhvillimin e Qëndrueshëm raportoi për herë të parë përpara qeverisë. Këshilli, i cili pritet të zhvillojë dy mbledhje vjetore,
synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të vendit në linjë me vlerat europiane për një energji të gjelbër eficiente.
Ai përbëhet nga krerët e ministrive kyçe, të përqendruara në zbatimin e strategjisë, po ashtu dhe nga përfaqësues të Parlamentit, Akademisë së Shkencave dhe Artit,
dhomave të tregtisë, ekspertëve dhe zyrtarëve të OJF-ve.
“Qeveria ka ndërmarrë reforma të shumta në një përpjekje për të plotësuar kriteret ekonomike që janë thelbësore për anëtarësimin në BE.
Strategjia e Zhvillimit të Qëndrueshëm synon të orientojë dhe paraqesë drejtimet për rritjen e ekonomisë në Maqedoni dhe në të njëjtën kohë të ofrojnë mbrojtjen e mjedisit”,
tha zëvendëskryeministri, përgjegjës për çështjet ekonomike, Vladimir Pesevski, pas takimit.
“Qeveria e ka të vështirë të balancojë zhvillimin ekonomik me qëndrueshmërinë ekologjike. Është e nevojshme të ndërmerret një drejtim zhvillimi që lejon shtimin e të ardhurave por dhe një të ardhme të sigurt dhe ekologjike”, -tha drejtorja rajonale për Bankën Botërore, Jane Armitage.