Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me problemet me të cilat po përballen kompanitë gjatë të bërit biznes, ndërkohë që u shpreh e gatshme që në bashkëveprim me institucionet shtetërore të ndihmojë në përmirësimin e klimës së biznesit duke kontribuuar në zhvillimin ekonomik të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha, në një konferencë për media tha se duke u nisur nga përcaktimet strategjike, sidomos përcaktimi i parë për zbatimin e drejtë të ligjeve dhe mbrojtjen nga zbatimi selektiv i ligjeve si dhe nga misioni që ka organizata e tyre për mbrojtjen e biznesit, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore sjellë këto vlerësime:
“Ekonomia e vendit është në një gjendje të vështirë si pasojë e më shumë faktorëve që ndërlidhen me zhvillimet politike dhe shoqërore të periudhës së dy viteve të fundit. Gjendja politike dhe shoqërore e vendit si rrjedhojë sjellë pasiguri në zbatimin e drejtë dhe institucional të obligimeve të më shumë palëve të përfshira në jetën ekonomike dhe administrative në vend, që mund të vërehet edhe nga raporti për Indeksin global të konkurrueshmërisë së Forumit ekonomik botëror, që ne si odë dhe partner i Forumit ekonomik botëror e publikuam dje”, tha Hoxha.
Ai tha se zhvillimi ekonomik i vendit është i kushtëzuar nga veprimtaria e lirë dhe pa pengesa institucionale dhe jashtë institucionale e bizneseve. Hoxha kërkoi që problemet me të cilat ballafaqohen bizneset, të mos jenë si rrjedhojë e moszbatimit të drejtë të ligjeve.
“Rasti i shfuqizimit të planeve detaje urbanistike në Komunën e Karposhit dhe në Komunën e Aerodromit janë raste eklatante ku një numër biznesesh përjetuan humbje të mëdha financiare, jo për shkak të sjelljes joparimore dhe mangësive në miratim të planeve, por në raste të caktuara edhe për sjelljen me papërgjegjësi të institucioneve të cilat nuk i respektojnë obligimet ligjore në punën e tyre. Me këto veprime ndërpritet realizimi i projekteve investuese të kompanive ndërtimore”, tha ai.
Kryetari i OEMVP-së u bëri apel institucioneve qendrore dhe lokale që problemet me të cilat përballen bizneset, sidomos kohëve të fundit, t’u qasen me përkushtimin më të madh dhe me punë serioze që të njëjtat sa më shpejtë të zgjidhen dhe të mos përsëriten.