Rritje të shkëmbimit tregtar dhe investime të përbashkëta me kompani turke në disa sektorë në Maqedoni, pret Lidhja e Odave Ekonomike pas forumit afarist me pronarë nga Konfederata e biznesmenëve të rinj nga Turqia.
Siç njoftoi LOE, janë analizuar mundësitë për bashkëpunim në sektorët: transport, ndërtimtari, inxhinieri, turizëm, agro-biznes, shërbime, TIK dhe arsim.
“Angazhimet tona të vazhdueshme janë rritja e këmbimit tregtar me Republikën e Turqisë. Konsiderojmë se takimet afariste do të rezultojnë me eksport më të madh të kompanive nga Maqedonia në tregun turk, por gjithashtu janë filluar edhe negociata për investime të përbashkëta dhe investime nga kompani turke në Maqedoni edhe atë në turizëm, agro sektor, industrinë ushqimore, si dhe industrinë e tekstilit”, deklaroi Mitko Aleksov, drejtor ekzekutiv i LOE-së.
Shkëmbimi tregtar midis Maqedonisë dhe Turqisë në tremujorin e parë të këtij viti vazhdon trendin pozitiv, duke shënuar rritje prej 16,9 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Në vitin 2015 tregtia mes dy vendeve u llogarit në 355 milionë euro me rritje prej 5,64% në krahasim me vitin 2014. Turqia është një prej vendeve me numër më të madh të investimeve në Maqedoni, si dhe midis dhjetë partnerëve të parë tregtar të Republikës së Maqedonisë.