Sipas Zyrës së Statistikave Kombëtare, shkalla e papunësisë në Maqedoni pësoi një rënie të lehtë në tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2016, deri në 23.1%.
Fuqia punëtore në Maqedoni shkon deri në 950,255 persona, nga të cilët 731.107 janë të punësuar. Shkalla e papunësisë në Maqedoni ka parë një tendencë në rënie që nga viti 2014, kur ajo arriti në 28.6%. Ndërkohë, numri i të punësuarve në sektorin e industrisë u rrit me 0.4% në muajin janar të 2017-s krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Referuar të dhënave të Zyrës së Statistikave Kombëtare, numri i personave që punojnë në sektorin e minierave u rrit me 1.2%, në sektorin e prodhimit me 0.4% dhe në atë të industrisë energjetike me 0.7%.
Zyrtarë nga Ministria e Financave u shprehën se punësimi vazhdon të jetë një çështje me prioritet të lartë për qeverinë e cila ka shpërndarë 15 milionë dollarë për programet e punësimit në të gjithë vendin. Megjithatë, ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësues të biznesit, shprehen se kjo krizë e zgjatur politike që ka përfshirë Maqedoninë për gati dy vjet e gjysmë po i zmbraps investitorët dhe ka ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit. Maqedonia nuk ka ende qeverinë e saj të re, edhe pse kanë kaluar tre muaj që nga zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.