Pritshmëri e lartë po deri tani rezultatet janë zero. Zona e Lirë Industriale e Tetovës vështirë se do të funksionojë pasi shteti krijon konkurrencë jo të ndershme. Ky është qëndrimi i bashkësisë afariste. Ata shprehen se shteti me para të popullit investon në të gjitha zonat tjera, por jo edhe në atë të Tetovës, ndonëse ajo është shumë e rëndësishme për zhvillimin e kësaj pjese të vendit.
Bytyqi thotë se pushteti në mënyrë diskriminuese sillet ndaj investitorëve në Zonën Ekonomike në Tetovë duke i zvarritur më tepër se një vit me procedura administrative. Derisa në të gjitha zonat tjera ekonomike ku shteti sjell investitorë shumë shpejtë sigurohen licencat, rruga por edhe pjesë tjetër kanalizimi, uji dhe rryma, në Zonën ekonomike në Tetovë këto gjëra akoma janë vetëm në letër.
Edhe qytetarët dyshojnë se politika ka gisht në tërë këtë gjendje. Ata shprehen se më nuk u besojnë premtimeve të politikanëve, përderisa nuk shohin në vepër se kjo zonë ka filluar punën.
Sipas planit afarist të ofruar, NORMAK-u i cili menaxhon zonën e Tetovës, ka marrë përsipër obligimin që në tre vitet e para të ndërtojë 40 për qind të zonës dhe të investojë deri tre milionë euro për ndërtimin e infrastrukturës së brendshme. Nga dy milionë euro duhet të investohen në vitin e katërt dhe të pestë, ndërsa brenda shtatë viteve t’i realizojë tërësisht aktivitetet e planifikuara. Gjatë përurimit ishte thënë se brenda disa viteve pikërisht në këtë zonë duhet të fillojnë punën rreth 30 kapacitete industriale dhe të hapen shtatë mijë vende të punës. Fatkeqësisht, në këtë moment asnjëri prej investimeve të paralajmëruara nuk punon, përveç “Lear”-it i cili për momentin funksionon në kuadër të një investimi në Gostivar. Edhe tri kompani tjera kanë kontrata pune në zonën industriale në Tetovë, por për shkak të vonesës së gjithë projektit nuk dihet se kur do të fillonin të punojnë./Alsat M