Viti 2021 për Maqedoninë e Veriut duhet të jetë viti i censusit të ri të përgjithshëm, pas dështimit në vitin 2011. Sidoqoftë, shumë çështje mbeten të pazgjidhura: përfshirja e emigrantëve dhe tema delikate e ekuilibrit etnik janë një shqetësim i veçantë, shkruan Aleksandër Samardjiev, Tetovë.
A do të ketë një census në vitin 2021 në Maqedoni? Pyetja bëhet vazhdimisht në vend – jo vetëm për shkak të pandemisë COVID-19, por edhe për shkak të problemeve serioze që dolën në vitin 2011, kur operimi duhej ndërprerë gjatë zbatimit të tij.
Më 10 tetor 2011, censusi – që ishte planifikuar nga data 1 deri më 15 të atij muaji – u ndërpre me dorëheqjen kolektive të komisionit të censusit, për shkak të mosmarrëveshjeve midis regjistruesve. A duhet të regjistrohen personat që nuk jetojnë në Maqedoni dhe punojnë jashtë vendit?
Në vitin 2019, u mor një vendim për ta kryer censusin në prill 2020, por akti u shty për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të planifikuara për në mars (zgjedhjet u shtynë më pas në 15 korrik, për shkak të koronavirusit). Tani data më e fundit është nga 1 deri më 15 prill 2021.
Apostol Simovski, drejtor i Zyrës Kombëtare të Statistikave – institucioni i ngarkuar me kryerjen e censusit – konfirmoi në një diskutim të fundit se përgatitjet teknike për censusin kanë filluar prej disa muajsh. Ai tha për mediat lokale se censusi do të bëhej me një metodë të kombinuar.
“Në censusin e mëparshëm, janë përdorur vetëm pyetësorët. Tani do të përdorim laptopë me pyetësorë elektronikë si një metodë shtesë për mbledhjen e të dhënave. Gjatë vizitës së tyre në familje, intervistuesit do të jenë në gjendje të pasurojnë menjëherë bazat e të dhënave me të dhënat e mbledhura nga terreni përmes kompjuterëve. Me metodologjinë e mëparshme, ishte i nevojshëm të paktën një vit e gjysmë për të përpunuar informacionin e mbledhur; tani, siç thuhet në ligjin aktual, ne mund të nxjerrim rezultatet jo më vonë se gjashtë muaj pas regjistrimit”, tha Simovski.
Emigrimi dhe baraspesha etnike
Dy çështje social-politike janë të lidhura me censusin e planifikuar – emigrimi masiv jashtë vendit në njëzet vitet e fundit, kryesisht drejt vendeve të Europës Perëndimore, dhe fakti që Kushtetuta maqedonase parashikon disa të drejta kolektive civile për komunitetet etnike, kur ato përfaqësojnë mbi 20% të popullsisë në një komunë të caktuar ose në të gjithë vendin.
Sipas dispozitave ligjore për regjistrimin – për shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët përkohësisht punojnë ose qëndrojnë jashtë vendit – vetëregjistrimi do të mundësohet në mars nëpërmjet një aplikacioni të veçantë që do të jetë në dispozicion në faqen e internetit të Zyrës Kombëtare të Statistikave. Aplikacioni do të jetë në dispozicion të qytetarëve në shtatë gjuhë: maqedonase, shqipe, turke, rome, vllahe, serbe dhe boshnjake.
Ish-drejtoresha e Zyrës Kombëtare të Statistikave dhe profesoreshë, Blagica Novkovska, thotë se regjistrimi i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, pavarësisht nëse janë në vend apo jashtë vendit në kohën e regjistrimit, hap shumë dilema rreth fushëveprimit, besueshmërisë, dhe cilësisë së të dhënave të mbledhura.
Sipas prof. Novoska, për personat që janë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe do të mungojnë në kohën e regjistrimit, nuk është e qartë se kush do t’i sigurojë të dhënat, veçanërisht nëse mungojnë familje të tëra. Në raste të tilla, të dhënat nuk mund të pritet të jenë të besueshme, shpjegon Novkovska, duke theksuar se përgjigjet për këto pyetje mund të merren vetëm përmes deklaratës personale të personave të regjistruar.
“Për qytetarët për të cilët do të sigurojë të dhëna një person i tretë, nuk është e qartë se si ata mund t’i dinë të dhënat që do të referojnë, veçanërisht kur bëhet fjalë për identifikimin etno-fetar të personave që mungojnë, sepse ato të dhëna duhet të jenë private. Në mungesë të të dhënave të sakta, mund të pritet që ata qytetarë të Maqedonisë së Veriut që kanë punuar dhe jetojnë jashtë për shumë vite, të renditen si persona që përkohësisht mungojnë”, shpjegon Novkovska.
Shqetësimet e komunitetit shqiptar
Sipas disa përfaqësuesve të partive politike shqiptare, censusi i ardhshëm hap gjithashtu një sërë çështjesh politike, pasi mund të vihen në diskutim të drejtat e fituara nga komuniteti i tyre, ku shqiptarët përfaqësojnë mbi 20% të popullsisë.
“Për shkak të regjistrimit, popullata shqiptare mund të humbasë të drejtat e marra në komuna të caktuara”, thanë përfaqësuesit e Partisë Aleanca për Shqiptarët gjatë debatit parlamentar mbi miratimin e ligjit për zbatimin e regjistrimit. Qeveria theksoi se censusi nuk mund të jetë bazë për ndryshimin e ligjeve ose të Kushtetutës, si akti më i lartë juridik në vend.
“Këto spekulime po qarkullojnë në hapësirën publike për shkak të manipulimeve politike. Kushtetuta apo Marrëveshja e Ohrit nuk mund të rishikohen në bazë të rezultateve të censusit. Ai duhet të kryhet vetëm për të azhurnuar statistikat dhe parametrat ekonomikë. Ato na duhen për të balancuar zhvillimin e vendit”, tha kryeministri Zoran Zaev për mediat lokale, duke hedhur poshtë spekulimet se – në varësi të rezultateve të regjistrimit – mund të ketë ndryshime në Kushtetutë.
Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiç, vuri në dukje për mediat se dështimi i vitit 2011, është një mësim i mjaftueshëm që regjistrimi të shihet si një operacion statistikor thelbësor për shtetin, dhe jo si një çështje politike. Sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2002 – i fundit në dispozicion deri më sot – vendi ka 2,022,547 banorë, përfshirë 1,297,981 maqedonas (64%) dhe 509,083 shqiptarë (25,17%).