Maqedonia e Veriut dhe Turqia, pjesë e projektit “Europa e Bashkuar”

16/07/2021 10:44 PM 0 komente
Stevo Pendarovski

Maqedonia e Veriut dhe Turqia janë pjesë e projektit “Europa e Bashkuar”, deklaroi presidenti i Maqedonisë së Veriut.

Në një intervistë për “Anadolu Agency” përpara Forumit treditor të Diplomacisë në Antalia, Stevo Pendarovski, tha: “Për fat të keq, historitë tona të përbashkëta europiane nuk janë aq të suksesshme dhe të mira për t’u dëgjuar. Nuk do të fajësoja askënd tjetër, veç vetvetes”, tha ai.

Sidoqoftë, e vërteta është se një pjesë e fajit u takon edhe “partnerëve tanë europianë dhe Brukselit”.

Pendarovski vuri në dukje se Turqia nisi negociatat e anëtarësimit të plotë në vitin 2005, por nuk ka pasur ndonjë zhvillim të rëndësishëm pozitiv deri tani. Në mënyrë të ngjashme, shtoi ai, Maqedonia e Veriut ka qenë duke pritur për 16 vjet e gjysmë.

“Ne nuk jemi duke pritur hyrjen për në BE, por thjesht fillimin e negociatave”, tha ai. “Ne kemi një mosmarrëveshje të gjatë me fqinjin tonë Greqinë dhe një bllokadë tjetër nga fqinji ynë lindor, Bullgaria.

Ne thjesht mund të shpresojmë që ta fillojmë këtë proces së shpejti dhe në kohën e duhur të bëhemi anëtarë të plotë të BE-së”, deklaroi Pendarovski.

“Sepse jo vetëm nga ana gjeografike, por edhe në aspektin ekonomik, në aspektin kulturor dhe në çdo fushë tjetër, Maqedonia e Veriut dhe Turqia, janë pjesë e atij projekti të quajtur Europa e Bashkuar”. Pendarovski tha se Turqia ka qenë mbështetësi më i fortë i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO që kur vendi u bë një kandidat në vitin 1999.

“Pasi kemi marrë disa vendime të vështira dhe kemi arritur disa kompromise të rënda me fqinjët tanë, ne jemi këtu zyrtarisht si aleatë.

“Edhe para kësaj periudhe, siç e thashë, kemi pasur bashkëpunim të mirë, por tani si aleatë zyrtarë, edhe më shumë mundësi janë në horizont për bashkëpunim dypalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”. Ai tha më tej se një numër i madh i ushtarëve nga Maqedonia e Veriut po arsimohen në akademinë ushtarake turke.

“Por tani kemi edhe më shumë shanse për të blerë armë dhe pajisje ushtarake të llojeve të ndryshme, gjë që është e rëndësishme për planet tona… për të arritur sa më shpejt që të jetë e mundur pragun 2% të PBB-së të caktuar për mbrojtjen ushtarake”, shtoi ai.

Pendarovski tha se bashkëpunimi ekonomik midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë është rritur në 10-12 vitet e fundit. “Sot, Turqia është ndër 10 investitorët më të mirë në vend. Statistikat e fundit tregojnë se Turqia është në vendin e gjashtë në listën e 10 investitorëve më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut”, tha ai.

“Dhe vëllimi i tregtisë midis vendeve tona është mes vendit të pestë dhe të shtatë në listën e 10 investitorëve më të mëdhenj, që do të thotë se Turqia është një nga investitorët më të rëndësishëm në vend”, shtoi ai.

Pendarovski tha se ai kishte bashkëpunuar gjatë me “OJQ-të tradicionale, intelektualët publikë, personalitete të rëndësishme në komunitetin turk, në fushën politike dhe jashtë saj” edhe para se të bëhej president. Ai tha se po vazhdon të forcojë marrëdhëniet me komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut dhe me maqedonasit në Turqi.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of