Maqedonia e Veriut ka një plan për të rimëkëmbur ekonominë nga koronavirusi

24/07/2020 10:07 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Maqedonia e Veriut ka zbuluar një kartë pagese për të zbutur goditjen e krizës së koronavirusit dhe për të nxitur njerëzit të shpenzojnë me miliona euro falas në produktet lokale. Ministrja e Financave njoftoi se më shumë se 100,000 karta janë tashmë në qarkullim dhe janë ngarkuar gjithsej me 11 milionë euro (12.4 milionë dollarë) kredi për të nxitur sloganin “Blini në atdhe”.

Sipas planit, qytetarët në familje, që fitojnë më pak se 15,000 dinarë (273 dollarë) në muaj, afërsisht sa paga minimale mujore, kanë të drejtë të marrin kartat e pagesave të ngarkuara me 9,000 dinarë kredi. Fondet mund të shpenzohen vetëm për produktet e prodhuara në vend dhe shërbime lokale, brenda 30 ditëve. Një program tjetër përdor kredi në karta dhe kuponë për të promovuar të njëjtën sasi të shpenzimeve të këtyre familjeve në turizmin vendas, si qëndrimet në hotele, ose aktivitetet argëtuese.

“Do të gjeni produktet e disponueshme në rafte, gondola, ose reklama ‘Unë blej në atdhe'”, tha ministrja e Financave, Nina Angelovska, e cila ka drejtuar fushatën. Përballë një epidemie të re që ka penguar përpjekjet për rihapjen, programi është pjesë e një pakete të tretë të masave të qeverisë për të zbutur efektet e pandemisë COVID-19.

Por është gjithashtu një përgjigje ndaj preferencës së konsumatorëve për mallrat e importuara në këtë shtet ballkanik prej rreth 2 milionë vetash, tendencë kjo që ishte e dukshme edhe para se të godiste virusi.
Dashuria për mallrat e huaja ka irrituar politikanët që të kërkojnë të nxisin rritjen e brendshme përtej nivelit 4% në vitin 2019, përpara se parashikimet ekonomike të shkatërroheshin nën ndikimin e koronavirusit që ka infektuar më shumë se 11 milionë njerëz dhe i ka marrë jetën më shumë se 531,000 deri më 5 korrik.

Kredia falas për maqedonasit është gjithashtu një ndihmë për bizneset vendase që po përpiqen të përballojnë krizën.
“Për ne, kjo është një masë e shkëlqyer”, tha Slavco Jordanov, pronari i një kompanie që prodhon erëza dhe reçel dhe punëson rreth 80 njerëz në qytetin Negotino.

“Unë do të sugjeroja një fushatë publike për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve për të blerë produkte vendase, për të shpjeguar se çfarë do të thotë një produkt ‘vendas’”, tha ai. “Për shembull, ne bëjmë ketchup ekskluzivisht nga domate të prodhuara në vendin tonë, jo të importuara nga jashtë, dhe qytetarët që vendosin të blejnë produktin tonë, duhet ta dinë këtë”.

‘Mjaft ambicioze’

Parashikuesit qeveritarë kishin parashikuar një rritje prej 3.8% në vitin 2020. Në prill, ajo u rishikua në një tkurrje ekonomike prej 4%, për shkak të koronavirusit. Në një vlerësim në fund të qershorit mbi masat antipandemike të qeverisë maqedonase, ekonomistët nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) thanë se:

“Duke pasur parasysh madhësinë e vogël të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, synimi i masave politike ka qenë mjaft i guximshëm dhe mbulon shumë grupe kryesore që janë prekur rëndë nga izolimi”.
Qeveria ka caktuar rreth 550 milionë euro (616 milionë dollarë) në ndihmë ekonomike për të luftuar epideminë, që përfaqëson 5.5% të PBB-së, sipas shifrave të OECD-së.

Paketa e tretë e masave, e njoftuar në mes të majit, kishte për qëllim nxitjen e shpenzimeve të konsumatorit dhe ndihmën e bizneseve vendase dhe përfshinte planin për kartat e pagesës “Blini produkte vendase”. Më pas është kufizuar hapësira për përdorimin e këtyre krediteve deri më 15 gusht.Jaroslaw Mrowiec, një analist i politikave në OECD, në sektorin e Europës Juglindore, tha se “qeveria e Maqedonisë së Veriut duket se ka tërhequr masat ekzistuese të mbështetjes në të gjithë rajonin dhe i bashkoi ato në diçka inovative”.

Ai tha se nuk ishte në dijeni të qeverive të tjera që ndërthurin mbështetjen financiare dhe konsumin me kartat e pagesave, që kufizojnë afatin e shpenzimeve të tilla dhe përqendrohen vetëm në mallrat dhe shërbimet vendase.
“Në vendet e tjera ka raste ku ekziston një çek ose një kartë krediti e ngjashme, por asgjë që të jetë kaq e kufizuar në synim, sidomos në fushën e produkteve vendase”, tha Mrowiec. “Ne nuk kemi parë asnjë vend, qoftë në rajon, apo gjetiu, që ka ndihmuar dhe është përqendruar kaq shumë në produktet vendase. Pra, po, në një kuptim ky veprim është inovativ”.

Shkupi ka qenë “shumë proaktiv” për sa i përket frenimit të koronavirusit dhe masave ekonomike, shtoi ai.
“Është e sigurt se Maqedonia e Veriut po bën shumë përpjekje në produktet vendase”, tha Mrowiec.
Pagesat e tjera shtetërore përfshijnë dhjetëra miliona euro drejt mbrojtjes sociale për familjet që kanë humbur të ardhura në ekonominë informale, si dhe tarifat e shkollimit dhe trajnimet IT për afro 100,000 studentë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of