Përdorimi i teknologjisë termike diellore, për të shndërruar rrezet e diellit në energji, duhet të jetë diçka e zakonshme për Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh klimën me diell.
Por subvencionet e pakta dhe ligjet rregullatore të pamjaftueshme, i kanë penguar projektet, pavarësisht përfitimeve të mundshme ekonomike.
Hotel Drim, në liqenin piktoresk të Ohrit, ka rinovuar së fundmi sistemin e tij të ngrohjes dhe ftohjes. Edhe pse hoteli kishte përdorur pompa nxehtësie për një dekadë – një alternativë me efikasitet energjetik për bojlerët dhe sistemet e ajrit të kondicionuar – ai zgjodhi të kalonte në teknologjinë termike diellore.
Ndryshe nga sistemet fotovoltaike që i kthejnë rrezet e diellit në energji elektrike, modulet termike diellore prodhojnë energji që përdoret për të vënë në punë njësitë e ngrohjes dhe ftohjes.
Menaxheri i hotelit, Krste Blazheski, tha për DW se një rritje prej 10% e kostos së energjisë elektrike këtë vit, nënkuptonte se duheshin investuar 170,000 euro në zëvendësimin e pompave elektrike të nxehtësisë, me një sistem të kombinuar termik diellor dhe fotovoltaik.
“Kthimi i investimit do të zgjasë maksimalisht tre deri në katër vjet”, thotë Blazheski. “Atëherë do të kemi energji elektrike të lirë”.
Megjithatë, investimi i hoteleve në teknologjinë termike diellore nuk është i zakonshëm në Maqedoninë e Veriut. Sipas hulumtimit nga DW, të sponsorizuar nga Fondi Europian i Gazetarisë, shumë firma dhe qytetarë privatë, janë të etur për tranzicion.
Megjithatë, subvencionet e pakta të qeverisë për investimet me intensitet kapital, së bashku me kontraktorët e palicencuar që bllokojnë tregun me mallra dhe shërbime, shkaktojnë pengesa.
“Dielli maqedonas për energjinë maqedonase”: ish-kryeministri Zoran Zaev deklaroi në vitin 2018 se vendi do të shfrytëzonte klimën me diell për të gjeneruar rritje ekonomike. Pesë vite më vonë, shteti ballkanik – flamuri i të cilit tregon një diell të ndritshëm – nuk duket se po përparon drejt objektivave ambicioze për energjinë diellore termike dhe fotovoltaike.
Një nga vendet me më shumë ditë me diell në botë
Sipas zyrës shtetërore të statistikave, familjet e Maqedonisë së Veriut instaluan rreth 80,000 kolektorë termikë diellorë në vitin 2019. Duhet të ndodhë një zgjerim masiv: Maqedonia e Veriut ka plot 280 ditë me diell në vit, më shumë se shumica e vendeve të botës.
E megjithatë, raporti i fundit nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme, zbuloi se më pak se 2% e energjisë së vendit prodhohet aktualisht nga dielli, një nga nivelet më të ulëta në Europë.
OJQ-ja për kërkime dhe informacione mjedisore, Eko-svest, e cila kohët e fundit nisi një fushatë për planifikimin inteligjent të energjisë, thotë se instalimi i paneleve diellore në vetëm 1% të territorit të vendit, mund ta bënte Maqedoninë e Veriut të pavarur nga ana energjetike.
Me sa duket, nuk mungon interesi popullor. “90% e qytetarëve besojnë se energjia diellore mund të përdoret shumë më tepër për të plotësuar nevojat për energji”, thotë Ana Colovikj Leshoska, drejtoresha e Eko-svest. Dhe afërsisht i njëjti numër mendon se duhet të ketë më shumë investime në pavarësinë energjetike, shton ajo.
Shumë pak subvencione
Mbështetja e pamjaftueshme për investitorët është një pengesë e madhe për zgjerimin, thonë ekspertët dhe biznesmenët. Subvencionet, deri tani, kanë qenë shumë të vogla.
Vetëm 80,000 euro në vit shpërndahen për kolektorët termikë diellorë shtëpiake, që do të thotë se rreth 500 deri në 600 familje marrin nga 150 deri në 300 euro për të ndihmuar në mbulimin e kostove të instalimit.
Sistemet shtëpiake, që zakonisht përbëhen nga një ose dy module, kushtojnë rreth 500 euro për panel. Një kolektor i vetëm, siguron rreth 150 litra ujë të nxehtë në ditë.
“Kjo nuk është asgjë, duke marrë parasysh nevojat e vendit”, thotë Ilija Nasov, drejtor i grupit të lobimit Solar Macedonia. Për më tepër, si rezultat i tendosjes së financimit shtetëror nga pandemia COVID-19, Ministria e Ekonomisë e Maqedonisë së Veriut, ka konfirmuar se këtë vit nuk do të ketë fare ndihmë shtetërore për sistemet termike diellore.
Kostoja e teknologjisë termike diellore në këtë vend në zhvillim, ka bërë që të shfaqen të ashtuquajturat “kompani fantazmë”, të cilat kryejnë punë inferiore me materiale të dobëta, të prodhuara kryesisht në Kinë. “Njerëzit duan të blejnë sisteme sa më të lira.
Ata shpesh bëjnë gabim duke investuar në një cilësi inferiore”, thotë Sanja Popovska Vasilevska, nga agjencia maqedonase për mbrojtjen e konsumatorëve. Kompanitë shfaqen një ditë, përfundojnë punën dhe zhduken të nesërmen, tha ajo.
Menjëherë pas kësaj, tubat e sistemit shpërthejnë, ose ndodhin incidente të ngjashme. Kur konsumatorët e zemëruar i drejtohen organizatës së saj për ndihmë, zakonisht është e pamundur të gjenden firmat, ndërsa klientët humbasin investimin e tyre, thotë Popovska Vasilevska.
Legjislacion i ri për të penguar furnizuesit e papërgjegjshëm
Ilija Nasov, nga organizata Solar Macedonia, beson se legjislacioni aktual ka nevojë urgjente për ndryshim. Ata që instalojnë kolektorë termikë diellorë, pa një certifikatë cilësie të lëshuar nga shteti, nuk duhet të kualifikohen për subvencione.
Ai gjithashtu vë në dukje se kompanitë e dyshimta që importojnë kolektorë të lirë dhe jocilësorë, përjashtohen nga taksat doganore, ndërsa prodhuesit e Maqedonisë së Veriut, si Camel Solar dhe Plasma, paguajnë 18% taksë për të importuar lëndë të para për prodhimin vendas të kolektorëve diellorë.
“Nuk ka asnjë mekanizëm kontrolli”, thekson Nasov. Grupi i lobimit organizon kurse dhe lëshon certifikata për instaluesit e licencuar. Tetëdhjetë njerëz morën trajnime në tre vjet. Megjithatë, 200 instalues të licencuar në mbarë vendin janë shumë pak, thotë shoqata./DW