Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për hapjen e kufijve pa kushte.
Vendimi hyn në fuqi më 12 tetor. Vendimi përfshinë hapjen e kufijve pa test PCR me Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë.
Republika e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që nga 12 tetori të hapë kufirin me Republikën e Kosovës dhe për udhëtimet drejt Shkupit s’do të jetë i nevojshëm testi PCR.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar në profilin e tij zyrtar në ‘Facebook’, ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë maqedonase, Kreshnik Bekteshi.
“Nga 12 Tetori kafe në Prishtinë pa PCR!”, ka shkruar Bekteshi.
Edhe zëvendëskryeministri Artan Grubi ka thënë se Maqedonia e Veriut nga 12 tetori po i hap kufijtë me fqinjët.
“Po i hapim kufijtë me fqinjët, nga 12 tetori”, ka shkruar Grubi.
Edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur se Qeveria e Maqedonisë Veriore ka marrë vendim që të hap kufijtë për Kosovën, pa testet PCR për qytetarët.
Zemaj ka thënë se këtë ia ka konfirmuar zvëndesësministri i shëndetësisë në Maqedoni, Ilir Hasani.
“Situata momentale epidemiologjike në vendin tonë nuk përbën rrezik dhe përshëndes vendimin e sotëm për hapjen e kufijve pa test PCR. Test PCR mund të kthehen nëse vërejmë se ka rritjet të rasteve të infeksionit”, ka shkruar Zemaj.
Ky vendim i autoriteteve maqedonase vjen pasi situata pandemike në Kosovë ka shkuar drejt normalizimit dhe për gati një muaj numri i rasteve të reja pothuajse është trefish më i vogël se rastet e shëruara.
Vendimin e njëjtë pritet ta marrin edhe Qeveritë e vendeve të rajonit. Deri tani Kosova dhe Mali i Zi janë deklaruar për heqjen e testeve. Për momentin, vetëm Shqipëria nuk ka kushte për PCR negativ.
Gjatë ditës së hënë, Komisioni për Sëmundje Infektive në Maqedoninë e Veriut ka propozuar të hapen kufijtë dhe të hiqen kufizimet për shtetasit e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Sipas analizave, nuk ka aktualisht indikacion, përkatësisht nuk ka numër të lartë të rasteve të importuara me COVID-19 në shtetet nga këto vende. Sipas kësaj, nuk ka rrezik të hapen kufijtë. Propozimi do t’i dorëzohet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut”, është thënë nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut.
Heqja e kufijve së fundi është kërkuar edhe nga Odat Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore dhe të Oda Ekonomike e Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.