Shtetasit e Kosovës të cilët duhet të kalojnë transit në Maqedoninë e Veriut do të jenë të obliguar që të kenë test negativ PCR jo më të vjetër se 72 orë.
“Komisioni për Sëmundje Infektive, në mbledhjen e sajt të mëngjesit, mori vendim që të zbatohet testimi i detyrueshëm PCR për udhëtarët nga Kosova që kalojnë nëpër Republikën e Maqedonisë së Veriut. Udhëtarët tranzit në vendkalimin kufitar duhet të tregojnë një test PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga atje thonë se ky propozim i komisionit do të dërgohet deri tek Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Ditë më parë, Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin ka vendosur që t’i hapë kufijtë shtetërorë me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
“Është miratuar edhe vendimi për hapjen e kufijve shtetërorë të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me Republikën e Serbisë”, thuhej në vendim.
Sipas këtij vendimi, shtetasve të këtyre vendeve nuk do të iu kërkohen testet kur të hyjnë në Kosovë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.