Qeveria maqedonase tha se ka besim të plotë se vendi mund të menaxhojë buxhetin e rritur të vitit që do të vijë, miratimi i të cilit erdhi më herët se zakonisht…
Buxheti i vitit të ardhshëm kaloi në Parlament së fundmi, me shpenzime prej rreth 3.35 miliardë euro, ndërkohë që të ardhurat përllogariten rreth 3.05 miliardë euro. Kjo do të thotë se qeveria planifikon të shpenzojë 175 milionë euro, apo 5.5% më shumë se vitin e shkuar. Gjithashtu do të thotë se deficiti buxhetor do të jetë sa 3% e Produktit të Brendshëm Bruto. Ndërkohë që qeveria thotë se do të shpenzojë një shumë rekord në investimet kapitale vitin e ardhshëm, opozita dhe disa ekspertë të ekonomisë thonë se buxheti është shumë larg orientimit drejt zhvillimit dhe rrezikon rritjen e mëtejshme të borxhit qeveritar.
Ministri i Financave, Kiril Minoski, tha në Parlament se buxheti është i fokusuar në zhvillimin dhe në investimet domethënëse siç është ndërtimi i autostradës, pjesë e korridorit 10, hekurudhën, infrastrukturën e përbashkët dhe energjetike, si dhe investime kapitale për të përmirësuar shëndetësinë, arsimin dhe sistemin social, bujqësinë, sportet, si dhe gjyqësorin. Qeveria po planifikon që të shpenzojë një pjesë të madhe parash, 2.9 miliardë euro, në shpenzime operative si paga, pensione, subvencione, ndihmat sociale dhe blerje të tjera të ndryshme, duke lënë vetëm 438 milionë euro, apo 13% të buxhetit, për investime dhe për projekte zhvillimi.
Buxheti për vitin e ardhshëm u hartua mbi baza të projektuara të një rritjeje ekonomike prej 3% dhe një normë inflacioni prej 1%, që është i njëjtë këtë vit. Marijanco Nikolov, deputet i partisë kryesore opozitare, tha në Parlament se buxheti reflektonte zakonin e vjetër të partisë në pushtet që vazhdimisht të rrisë madhësinë e borxhit publik.
Kjo qeveri e papërgjegjshme, në dhjetë vitet e fundit, ka punuar ekskluzivisht në rritjen e borxhit, tha Nikolov.
Pavarësisht çështjes së diskutueshme të Eurobondit të ri këtë korrik, me vlerë 450 milionë dollarë, buxheti i ri parashikon një tjetër huamarrje prej 576 milionë eurosh. Qeveria thotë se po planifikon që gjysmën e borxhit ta marrë nga huadhënësit vendas dhe pjesën tjetër nga jashtë. Profesori i ekonomisë, Marjan Petreski, tha për BIRN, se rritja e borxhit të planifikuar ishte një surprizë… duke pasur parasysh se Eurobondi i fundit fillimisht planifikonte të mbulonte një pjesë të shpenzimeve gjithashtu.
Petreski tha se ndërsa 438 milionë euro, që u lanë mënjanë për investime kapitale përbënin një lajm pozitiv, kjo shumë me siguri që do të shkurtohej me rishikimin e buxhetit vitin e ardhshëm, një praktikë që vendi e ka parë vazhdimisht këto dhjetë vite. Opozita, gjithashtu, ka ngritur dyshime nëse miratimi i buxhetit të ri ishte kaq emergjent dhe nuk mund të pritej për qeverinë e re që do të zgjidhet pas 11 dhjetorit në zgjedhjet e përgjithshme.
Kire Naumov, ministër i Financave, i cili iu bashkua qeverisë aktuale të përkohshme të udhëhequr nga partia VMRO DPMNE nga radhët e opozitës, bëri thirrje së fundmi për të marrë masa të përkohshme financiare para se të bëhen zgjedhjet.
“Miratimi i buxhetit me kaq ngut pak para zgjedhjeve është një dhunim politik dhe financiar. Vendimi mund të bëhej për një financim të përkohshëm deri sa të formohej qeveria e re në janar”,- tha ai.
Gjithsesi, partia në pushtet këmbëngul që nuk ka asgjë të gabuar në parashtrimin e projektbuxhetit tani, para shpërbërjes së Parlamentit dy muaj para zgjedhjeve. Vitin e shkuar, projektbuxheti hyri në Parlament shumë më vonë, në fund të vitit.