Maratona e vaksinimit COVID-19

12/02/2021 10:00 PM 0 komente

Teksa qeveritë nxitojnë për të vaksinuar njerëzit, ato duhet të jenë të kujdesshme në hapat e ardhshëm

 

Është përshkruar si një garë midis infeksioneve dhe injeksioneve, shkruan The Economist. Nëse është kështu, infeksionet janë ende fitues. Rreth 5 milionë raste të reja COVID-19 po regjistrohen çdo javë në të gjithë botën.

Teksa po shtypej numri i radhës i The Economist, rreth 51 shtete kishin filluar të administronin vaksinat, sipas faqes online Our World in Data. Javën e kaluar, u vaksinuan 17 milionë njerëz, por dozat totale globale ishin ende nën shifrën 50 milionë. Vetëm pesë vende kishin ofruar dozën e parë të vaksinës për mbi 5% të popullsisë së tyre.

Gara e vaksinimeve po shkakton shqetësime në vende si Franca, dhe shpresa në vende si Britania, ku gjendja tashmë është përmirësuar paksa. Si dëshpërimi, edhe gëzimi, janë të parakohshëm. Do të duhet një kohë e gjatë derisa shumica e vendeve të krijojnë imunitet të mjaftueshëm për të frenuar përhapjen e virusit. Ndërkohë, do të jetë shumë i rëndësishëm fakti se sa të suksesshme do të jenë qeveritë në menaxhimin e masave kufizuese.

Tani për tani, shumica e energjisë po shpenzohet në zgjidhjen e logjistikës së shpërndarjes së vaksinave, të cilën qeveritë mund ta kontrollojnë drejtpërdrejt. Sidoqoftë, siç mund të zbulojë Britania, me më tepër rëndësi tani është furnizimi me vaksina. Lajmi i mirë është se më shumë doza do të bëhen të disponueshme, teksa prodhimi rritet dhe vaksinat e reja fitojnë miratimin e rregullatorëve. Një vaksinë nga Johnson & Johnson, që pritet të raportojë rezultatet e provës në fund të këtij muaji, mund të mbulojë 1 miliard njerëz gjatë vitit 2021.

Ndërkohë që vendet presin furnizimet e vaksinave, roli kryesor në frenimin e virusit do të luhet nga ndërhyrjet jo-farmaceutike (NPI), përfshirë maskat dhe karantinat. Parashikimi nga Britania tregon se do të duhet kohë derisa ndikimi i vaksinimit të vihet re nëpër pavijonet e kujdesit intensiv. Këto qendra spitalore janë plot me njerëz në të 50-at dhe 60-at, sepse personat më të moshuar, shpesh janë tepër të brishtë për të përballuar tubat e ventilatorëve dhe ndërhyrje të tjera. Kur repartet e kujdesit intensiv janë të mbingarkuara, vdekshmëria rritet me një të katërtën. Nëse përhapen gjerësisht variantet e reja më infektive të virusit, edhe masat për mjetet NPI mund të forcohen, siç ndodhi në Gjermani këtë javë.

Karantinat rëndojnë mbi lirinë personale dhe kanë kosto të madhe financiare. Prandaj, do të rritet presioni që njerëzit e vaksinuar të jenë në gjendje të lëvizin lirisht, edhe nëse në fillim do të jenë shumë të paktë në numër për të sjellë ndonjë ndryshim domethënës në ekonomi. Nëse qeveritë i injorojnë thirrjet për “pasaporta vaksine” për të mundësuar këtë, ka të ngjarë që të vaksinuarit ta ndryshojnë gjithsesi sjelljen e tyre. Disa biznese mund të paraqesin sisteme informale.

Që pasaportat e vaksinave të kenë domethënie praktike, epidemiologët duhet të kuptojnë se sa efikas është vaksinimi në ndalimin e përhapjes së sëmundjes – sepse do të ishte e dëmshme nëse ata që ishin të sigurt, do të infektonin të tjerët që nuk janë vaksinuar ende. Studimet e hershme nga Izraeli, i cili ka vaksinuar një pjesë më të madhe të popullsisë se çdo vend tjetër, tregojnë se vaksina Pfizer-BioNTech e ngadalëson pak transmetimin, por nevojiten më shumë kërkime për të ndërtuar një sistem efektiv të pasaportave të vaksinës.

Pasaportat e vaksinave gjithashtu ngrenë pyetje etike. Nëse varen kaq shumë gjëra nga injektimi i vaksinës, do të jetë edhe më e rëndësishme çështja se kush duhet të vaksinohet. Nëse grupe të caktuara të popullsisë lihen të presin në radhë padrejtësisht, programet do të zhyten në polemika. Vaksinimi duhet të jetë falas për të pasurit dhe të varfrit dhe të shpërndahet sipas efikasitetit dhe nevojave klinike. Kjo mund të jetë e vështirë të pajtohet me kërkesën për të mos shpërdoruar furnizimet e pakta.

Ka edhe ndërlikime. Nëse njerëzit e vaksinuar mund të lëvizin lirisht, personat me imunitet të fituar do të kërkojnë të njëjtën liri: në fund të fundit, ata nuk janë më infektivë. Megjithatë, testet e antitrupave nuk janë shumë të besueshme. Nuk është e qartë se sa zgjat ky lloj imuniteti. Të tjerë kanë frikë nga implikimet për privatësinë nëse shteti mund të kontrollojë shëndetin e qytetarëve.

Në parim, pasaportat e vaksinave janë një ide e mirë. Në praktikë, qeveritë përballen me një sërë pyetjesh – disa prej të cilave mund të marrin përgjigje vetëm përmes hulumtimeve epidemiologjike. Qeveritë duhet të fillojnë menjëherë punën për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of