Ylli i tenisit, Maria Sharapova, njoftoi dje tërheqjen, me një letër ekskluzive për “Vogue” dhe “Vanity Fair”. Maria Sharapova, 32 vjeçe, ka fituar 5 Grand Slam dhe ka qenë sportistja më e paguar në klasifikimin e “Forbes” për 11 vjet me radhë.
Por, dëmtimet dhe një pezullim për përdorimin e një substance të ndaluar e kanë mbajtur jashtë fushës për shumë kohë në katër vitet e fundit. Të ardhurat gjatë karrierës së saj 325 mln $ e rendisin atë të dytën si sportisten më të paguar, pas kundërshtares Serena Williams (350 milionë $).
Sharapova fitoi një vend në skenën sportive botërore në vitin 2004, kur mundi Williams dhe më pas fitoi Wimbledon në moshën 17-vjeçare. Sponsorët e vetëm në atë kohë ishin Nike dhe Prince, por gjithçka ndryshoi menjëherë. Tenistja ruse u shndërrua në ëndrrën e të gjithë sponsorëve. Ajo firmosi marrëveshje me Tag Heuer, Canon, Motorola, Colgate-Palmolive dhe shumë të tjerë. Vlera e kontratës së saj me Nike u dyfishua. Të ardhurat vjetore u rritën nga 3 milionë $ në 18 milionë $, duke u bërë atletja më e paguar në botë.
Sharapova firmosi marrëveshje sponsorizimi me Land Rover, PepsiCo dhe Sony. Nike prezantoi më pas linjën e vet të veshjeve për tenis dhe këpuca e saj ishte më e shitura në ish-degën Nike Cole Haan.
Sharapova u shndërrua në yllin më të famshëm në WTA Tour. Ajo e përdori famën për të prezantuar edhe linjën e saj të karameleve, Sugarpova, në vitin 2012, me synimin për ta zgjeruar markën me veshje dhe aksesorë.
Tenistja ruse ka rreth 15 milionë ndjekës në “Facebook” dhe të ardhurat arritën pikun thuajse 30 milionë $ në vitin 2015. Ajo u pezullua në vitin 2016 për përdorimin meldoniumit, një substancë e cila kohët e fundit ishte përfshirë në listën e substancave të ndaluara nga Agjencia Botërore e Antidoping (WADA). Sharapova deklaroi atëherë se e pati marrë këtë medikament për një dekadë për shkak të një historie familjare me diabet. Pezullimi iu reduktua nga 2 vjet në 15 muaj në Gjykatën e Apelit.
Sponsorë si Tag Heuer u larguan nga Sharapova dhe fitimet e saj jashtë fushe filluan të bien. Ajo u kthye në fushë në vitin 2017, por një dëmtim i vazhdueshëm në shpatull e pengoi rikthimin e saj. Pavarësisht dënimit për doping, jo të gjithë sponsorët e braktisën. Ajo firmosi një kontratë me UBS pak pas përfundimit të pezullimit, ndërsa sponsorë si Nike, Evian, Head dhe Porsche i qëndruan besnikë.
Maria Sharapova tërhiqet me 5 tituj Grand Slam dhe 36 fitore në total. Ajo është një ndër dhjetë femrat që ka fituar të katër kompeticionet më të mëdha të tenisit.
Burimi: Forbes