Mario Draghi fillon punën më të vështirë në politikën europiane

12/03/2021 10:05 PM 0 komente

Por ai do të gëzojë mbështetje të rrallë nga bashkatdhetarët, të paktën fillimisht

Tregjet e aksioneve u përulën para Mario Draghi, i cili më 13 shkurt mori drejtimin e qeverisë së 68-të të Italisë në 75 vjet. Aksionet u rritën që në momentin kur u raportua se atij i kishin kërkuar të bëhej kryeministër, shkruan The Economist.

Tre ditë pasi ai mori detyrën, investitorët u dyndën në një ankand bonosh, duke ulur kostot e huazimit të Italisë. Kjo të kujtonte ditët e nxehta në korrik 2012, kur zoti Draghi, presidenti i atëhershëm i Bankës Qendrore Europiane, u zotua të bënte “gjithçka që duhej” për të ruajtur euron e paqëndrueshëm. Skema e blerjes së obligacioneve që hartoi BQE për ta bërë premtimin e zotit Draghi të besueshëm, nuk u përdor kurrë: fjalët e tij ishin më se të mjaftueshme për të qetësuar trazirat financiare.

Por zgjidhja e problemeve të Italisë kërkon më shumë sesa retorikë. E rrënuar nga pandemia, sipas parashikimeve aktuale, Italia nuk do të rimëkëmbet në PBB-në e saj para krizës deri në vitin 2023. Dhe problemet me Covid-19 vijnë në majë të patologjive më të thella si rritja e ngadaltë, produktiviteti i ulët dhe borxhi i lartë që nuk janë trajtuar dot, pavarësisht nga përpjekjet e qeverive të njëpasnjëshme. “Të gjithë i dimë përparësitë e reformave”, thotë Marco Valli, ekonomist në bankën italiane UniCredit. “Pyetja është, a do të jetë në gjendje Draghi të gjurmojë shpejt ato që duhen me urgjencë?”

 

Shanset

Në një shikim të parë, shanset duket se janë kundër tij. Italia ka “djegur” gjashtë kryeministra në dekadën e fundit; votuesit nuk e kanë zgjedhur vetë kryeministrin që nga viti 2008. Ekziston gjithmonë shqetësimi se edhe ky lider mund të jetë një tjetër jo-politikan ku europianët varën shumë shpresa: Mario Monti, ish-komisioner i konkurrencës në BE, u caktua në detyrë në vitin 2011 pas rritjes së yield-eve të bonove, një dukuri që rrëzoi Silvio Berluskonin. Ai zgjati vetëm 18 muaj në detyrë dhe reformat e tij për pensionet u shuan më vonë.

Megjithatë, ka edhe perspektiva të forta për zotin Draghi. Trashëgimia e aktivizmit të tij në blerjen e bonove në BQE dhe ajo e pasardhëses së tij Christine Lagarde, pritet t’i mbajë tregjet të qeta, ndërsa ndiqen reformat e ndërlikuara. Për momentin, votuesit duken më optimistë.

Zoti Draghi po e merr detyrën me vlerësime shumë të larta. Dhe ndryshe nga zoti Monti, i cili u përball me thirrje të ashpra për të shkurtuar shpenzimet, qeveria e zotit Draghi do të ngarkohet me shpërndarjen e planit të rimëkëmbjes nga Covid-19 prej 750 miliardë eurosh (900 miliardë dollarë) të rënë dakord nga BE-ja verën e kaluar. Kjo për Italinë mund të arrijë në më shumë se 200 miliardë euro në grante dhe hua në gjashtë vite.

Kjo është thelbësore për të kuptuar ndihmën qeveritare të shpalosur nga zoti Draghi më 12 shkurt. Anëtarët e qeverisë së tij variojnë nga e majta radikale, deri tek e djathta ekstreme me emrin Liga e Veriut, një parti, lideri populist i së cilës, Matteo Salvini, në mënyrë të paturpshme e hodhi tutje euroskepticizmin e vet, në këmbim të vendeve në tryezën vendimmarrëse të zotit Draghi.

Kjo dëshmon fuqinë tërheqëse të të ashtuquajturit “Super Mario”, njeriu i cili shpëtoi euron, por edhe më tepër dëshmon për ndihmën e madhe që po vjen për rimëkëmbjen e Italisë. Mënyra sesi zoti Draghi zgjedh ta shpërndajë atë, do të jetë thelbësore.

Ai dha këshillat e para gjatë një fjalimi në Senatin e Italisë më 17 shkurt. Kryeministri i ri premtoi të ndryshonte planin e rimëkëmbjes të hartuar nga qeveria e Giuseppe Conte, paraardhësit të tij, veçanërisht pjesa kushtuar objektivave mjedisore – së cilës duhet t’i kushtohen 37% e fondeve të rimëkëmbjes. Planet përfundimtare duhet t’i paraqiten Komisionit Europian deri në fund të prillit.

Zoti Draghi tha se qeveria e tij do t’i kushtojë vëmendje të madhe faktit nëse projektet e propozuara të investimeve të Italisë mund të përfundojnë deri në vitin 2026, kur fondet e fundit do të disbursohen, por shtoi se ato duhet të përshtaten në një strategji që synon deri në vitin 2050, kur emetimet e karbonit neto të BE-së pritet të arrijnë në zero.

Megjithëse 15 nga 24 vendet në tryezën e kabinetit të zotit Draghi do të shkojnë për politikanë nga partitë e ndryshme në koalicionin e tij, ministritë që do të ekzekutojnë planin e rimëkëmbjes së Italisë do të drejtohen kryesisht nga teknokratë. Tre bien në sy. Roberto Cingolani, fizikan me përvojë në robotikë dhe nanoteknikë, do të drejtojë një super-ministri kushtuar tranzicionit ekologjik.

Vittorio Colao, ish-shef i Vodafone, do të mbikëqyrë çështjet dixhitale dhe teknologjike. Daniele Franco, ministri i ri i Financave, vjen nga banka qendrore e Italisë. Të tre kanë ekspertizë menaxheriale dhe teknike. Emërime të tilla, thotë zoti Valli, tregojnë se “zoti Draghi dëshiron që njerëzit e tij të jenë në krye” të fondit të rimëkëmbjes. Në BQE, ai ishte shpesh i etur për të zbatuar një politikë të mirë sesa për të fituar mbi kritikët.

Në fjalimin në Senat, zoti Draghi premtoi gjithashtu të shpejtojë vaksinimin dhe të fillojë një rregullim gjithëpërfshirës të sistemit të tatimit mbi të ardhurat. Ai u zotua të promovojë punësimin e grave dhe të ngushtojë një nga hendeqet më të mëdha të pagave në Europë midis burrave dhe grave. Fusha të tjera për reforma ishin sistemi gjyqësor dhe administrata publike.

Pjesa më e madhe e kësaj axhende do t’u pëlqejë zyrtarëve në Bruksel, të cilët panë në projekt-planin e zotit Conte më shumë ambicie për propozimet e shpenzimeve, sesa për reformat që janë të domosdoshme për borxhin e madh të Italisë (shih grafikun). Paolo Gentiloni, komisioneri europian i ngarkuar me mbikëqyrjen e planeve të rimëkëmbjes, është vetë një ish-kryeministër italian që i kupton pengesat drejt reformave.

 

Etiketa “teknokrat”

Pas disa dekadave në shërbimin publik, puna e re e zotit Draghi shënon përpjekjen e parë të 73-vjeçarit në politikën demokratike. Por etiketa “teknokrat” fsheh po aq sa tregon. Ai shfaqi instinkte të mprehta politike gjatë krizës së euros, duke përgatitur terrenin për ndryshime të politikave si nisja e lehtësimit sasior dhe ai hodhi poshtë kritikët si Jens Weidmann, kreu skeptik i Bundesbank. Konservatorët gjermanë e urrenin dredhinë e tij, por nuk arritën të ndalnin politikat e tij.

Kur u largua nga detyra në vitin 2019, zoti Draghi u vlerësua me lavdërime nga kancelarja Angela Merkel dhe atij iu dha Urdhri i Meritës i Gjermanisë, nderi më i lartë civil. Shumica e udhëheqësve të Europës, të cilët ai do t’i takojë (virtualisht) në një samit më 25 shkurt, e vlerësojnë dhe e respektojnë. “Parandjenja na thotë se dikush si Draghi nuk do ta dreqosë punën”, shprehet një zyrtar gjerman.

E gjithë kjo duhet ta ndihmojë atë të menaxhojë atë që ka të ngjarë të jetë një administratë jetëshkurtër (zgjedhjet priten në qershor 2023.) Megjithatë, kurthet e politikës italiane paraqesin një lloj prove të re. Përveç Ligës dhe Forza Italia të zotit Berlusconi, kabineti i zotit Draghi bashkon përfaqësuesit e lëvizjes heterogjene Pesë Yjet dhe tre partive të majta.

“Uniteti nuk është një opsion; uniteti është një detyrë”, e paralajmëroi kryeministri i ri Parlamentin këtë javë. Por një e katërta e ligjvënësve të Pesë Yjeve nuk e mbështetën në votimin e parë në Senat. Dhe mosmarrëveshjet kanë shpërthyer, mbi zgjedhjen e ministrave të rinj dhe mbylljen e rezorteve të skive. Këto janë vetëm fillimi.

Përktheu Lira Muça

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of