Mario Draghi, një shans i ri për Italinë

06/03/2021 10:02 PM 0 komente

Emërimi i tij si kryeministër është i mirë për vendin dhe Europën

 

Italia është mjaft e madhe për të pasur ndikim masiv në Europë. Disa vende si Greqia ose Portugalia, janë në borxhe të mëdha, por vendet e tjera europiane mund t’i shpëtojnë ato, nëse është e nevojshme, shkruan The Economist.

Vende të tjera si Franca, Spanja apo Gjermania, kanë borxhe të mëdha në terma absolutë, por falë madhësisë së ekonomive të tyre dhe një rritjeje të mirë ekonomike, mund ta përballojnë borxhin pa i tronditur tregjet. Ndërsa Italia përballet me një tronditje të trefishtë: një borxh tepër i madh në terma relativë dhe absolutë, plus një ekonomi që kishte ngecur në vend edhe para se të godiste Covid-19. Ardhja e Mario Draghi, i cili u emërua si kryeministër i vendit më 13 shkurt, jep disa shpresa që vendi “i sëmurë” i Europës të mund të rimëkëmbet.

Zoti Draghi, ish-kryetar i Bankës Qendrore Europiane, është i fundit në radhën e gjatë të teknokratëve të cilët janë caktuar në zyrën e kryeministrit. Kjo nuk është aspak një shenjë e mirë. Krerët e pazgjedhur qeveritarë, në parim, janë një zhgënjim për demokracinë.

Ata shpesh janë të paaftë në komunikimin me publikun. Ngritja e tyre në pushtet mund të shfrytëzohet nga populistët, të cilët gjithmonë pretendojnë se elitat po komplotojnë për të shkatërruar masat. Kur kryeministri në fjalë është një ish-bankier ndërkombëtar, parullat demagogjike janë më të lehta se kurrë.

Gjithsesi Draghi komandon mbështetjen e të gjitha partive kryesore të Italisë, me përjashtimin e Vëllezërve të Italisë, një grup me origjinë neofashiste, i cili pa dyshim do të godasë në mënyrë të rrezikshme nga anët. Zoti Draghi është më tepër sesa thjesht një teknokrat; ai gjithashtu ka aftësi të mëdha politike dhe diplomatike, siç tregoi kur drejtoi euron përmes krizës së tij një dekadë më parë. Tani, do të ketë nevojë për këto aftësi.

Qeveritë e mëparshme shpesh kanë rënë dakord gjerësisht për atë që duhet të bëhet për të shpëtuar Italinë nga sëmundja kronike. Është një nga vendet më të papërshtatshme në Bashkimin Europian për të bërë biznes, për shkak të një sistemi gjyqësor të ngadaltë dhe të paqëndrueshëm, dobësisë burokratike dhe sistemit të taksave që shkurajon krijimin e vendeve të punës.

Subvencionet qeveritare nuk kanë arritur të korrigjojnë çekuilibrin e thellë strukturor midis Veriut të pasur dhe mezzogiorno, Jugut të Italisë, një nga rajonet më pak të zhvilluara të Europës. Të gjitha këto probleme kanë nevojë për rregullim, por qeveritë e dobëta dhe koalicionet qeveritare të paqëndrueshme nuk kanë arritur ndonjë përparim. Zoti Draghi ka një shans për të bërë një punë më të mirë. Tani për tani, ai ka një shumicë të madhe në Parlament.

Ai do të ketë mjaft ndihmë nga jashtë. Falë një fondi rimëkëmbjeje prej 750 miliardë eurosh (900 miliardë dollarë) për të cilin BE-ja ra dakord verën e kaluar, Italia ka të drejtë për të përfituar rreth 200 miliardë euro në grante dhe kredi në gjashtë vitet e ardhshme. Paratë sigurisht që do të vijnë me kushte të bashkangjitura. Pjesa më e madhe duhet të shpenzohet për projekte të gjelbra ose dixhitale; dhe pajtimi për një program të detajuar reformash është një çështje kyçe.

Projekt-plani i Italisë është më i mirë se disa që kanë paraqitur në Bruksel disa vende të tjera anëtare. Sidoqoftë, zoti Draghi duhet ta përforcojë atë. Në një fjalim në parlament më 17 shkurt, ai mori tonin e duhur, duke premtuar të reformonte taksat, gjykatat dhe administratën publike, por gjithashtu duke premtuar të mos shpëtonte firmat e paqëndrueshme.

Nëse zoti Draghi do të jetë premtues për Italinë, ai do të jetë i mirë edhe për BE-në. Këshilli Europian mund të mbështetet në një peshë tjetër të rëndë. Angela Merkel së shpejti do të largohet nga posti, pasi ka premtuar se mandati i saj aktual si kancelare e Gjermanisë do të jetë i fundit; dhe zgjedhjet atje do të mbahen më 26 shtator. Emmanuel Macron do të përballet me betejën e rizgjedhjes në fillim të vitit të ardhshëm. Ndërsa Britania, që në të kaluarën ka qenë vota e lëkundur në treshen e fuqive dominuese të Europës, tani ka braktisur anijen.

Një Itali e fuqishme dhe me pozitë do të ndihmojë në zhvendosjen e ekuilibrit ideologjik të BE-së në drejtimin e duhur. Nëse do të mbijetojë dhe do të lulëzojë, blloku duhet të investojë shumë më tepër para, duke i mbledhur ato në tregjet ndërkombëtare dhe duke lejuar që vendet e tij më të dobëta të përfitojnë nga kredia e unionit në tërësi. Fondi i rimëkëmbjes ofron një model të mirë që duhet të përdoret përsëri në të ardhmen. Zoti Draghi do të jetë në gjendje të ushtrojë presion për këtë. Megjithatë, kjo mund të ndodhë vetëm nëse plani ekzistues është i suksesshëm. Nëse Super Mario nuk mund ta bëjë atë të funksionojë për Italinë, mbase askush nuk do të mundet.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of