Flet Esmeralda Doçi, Administratore “Mövenpick Hotel”
Markat ndërkombëtare të strukturave akomoduese nuk kanë vetëm përfitim në standard dhe cilësi shërbimi.
Shumica e tyre kanë komunitete të tërë abonentësh, të cilët kur duan të eksplorojnë një vend, duan të ruajnë të njëjtin standard dhe të marrin edhe përfitime nga ky abonim, duke zgjedhur markat e njëjta në vende të ndryshme të botës.
Esmeralda Doçi, administratore e “Mövenpick Hotel” në Gjirin e Lalëzit, shprehet se përzgjedhja e markës zvicerane, pjesë e grupit “Accor”, erdhi natyrshëm dhe është pritur mirë nga turistët që në vitin e parë të operimit, 2021, kur pandemia nuk ishte zbehur ende tërësisht. Ajo parashikon që 2022 të jetë një vit edhe më i mirë dhe të ketë rritje të numrit të turistëve.
“Mövenpick” çeli dyert thuajse një vit më parë, duke qenë një nga hotelet “marka” të para në bregdet. Si ka qenë ecuria në këtë hark kohor për hotelin tuaj?
Në fakt, “Mövenpick Hotel” në Gjirin e Lalëzit është pionier i markave ndërkombëtare të rrjetit hotelier “Accor” në bregdetin shqiptar.
Hoteli ka pasur një performancë shumë të mirë, sidomos gjatë sezonit të verës, ku përqindja e dhomëzënies ka kaluar pritshmëritë tona.
Natyrisht duke qenë viti i parë, periudha jashtë sezonit pritej të kishte më pak frekuentim. Gjatë periudhës vjeshtë-dimër, resorti është zgjedhur për zhvillimin e konferencave të ndryshme, kombëtare dhe ndërkombëtare.
A patën ndikim disi pandemia dhe kufizimet në planet tuaja të biznesit?
Padyshim që si çdo biznes në fushën e turizmit, edhe ecuria e hotelit tonë është ndikuar nga kufizimet gjatë pandemisë. Nga ana tjetër, jemi të ndërgjegjshëm që ne hapëm dyert në faza më të lehtësuara të masave kufizuese të pandemisë dhe ndoshta kjo ndikoi që të mos kishim ndikimin që shumë hotele e patën në vitin e parë të COVID-19.
Duke qenë një markë me standarde ndërkombëtare, ne kemi krijuar garanci te shumë pushues vendas, të cilët në kushte normale pushojnë jashtë Shqipërisë dhe verën e kaluar zgjodhën “Mövenpick Hotel”, në Lalëz, Durrës.
A mund të na jepni detaje mbi lehtësitë që ofron hoteli juaj, dhomat apo shërbimet?
Hoteli është projektuar dhe ndërtuar sipas kërkesave të “Accor Group”. Ka 80 dhoma në 5 kategori të ndryshme, nga ato standarde te superior suitat.
I ndërtuar mes pishave të larta pranë detit Adriatik, me një brez të gjerë rëre, hoteli ofron shumëllojshmëri shërbimesh në ambientet e veta. Ka disa bare dhe restorante, në të cilat ofrohet një kulinari e përzgjedhur e ushqimit shqiptar dhe ndërkombëtar. Buzë detit ka një beach bar, pishina të jashtme dhe të brendshme, palestër, sallë aerobie, ambiente të dedikuara për fëmijët, SPA dhe sallat e konferencave.
Pse zgjodhët markën “Mövenpick” dhe cilat janë aspektet pozitive që shihni ju kur një hotel ka një markë në aspektin e cilësisë dhe standardit të shërbimit?
“Mövenpick” është markë e cila ka lindur si rrjet restorantesh dhe vazhdon të jetë departamenti më i rëndësishëm për këtë markë. Shqipëria, përveç bregdetit të mrekullueshëm, ofron edhe ushqim shumë të mirë me shumëllojshmëri produktesh vendi.
Për më tepër, zona e Gjirit të Lalëzit frekuentohet kryesisht nga familjet dhe marka “Mövenpick” ka disa programe si dhe produkte, të cilat u kushtohen familjeve.
Të gjitha këto bënë që zgjedhja e kësaj marke të ishte tërësisht e natyrshme. Patjetër që marka zvicerane vjen me garancinë e vendit të origjinës. Të tilla standarde duhet të zbatohen, në mënyrë që klientët besnikë të markës të mos ndiejnë diferenca kur udhëtojnë nga njëri “Mövenpick” në tjetrin.
Cili është targeti i vizitorëve që keni ju si hotel? A ju kufizon fakti se jeni në bregdet me frekuentim vetëm gjatë verës apo keni frekuentim gjithëvjetor?
Hotelin tonë e vizitojnë pushues të ndryshëm, pra kemi një diversitet si krahinor për sa u përket shqiptarëve, ashtu edhe global, për sa u përket të huajve. Shqiptarët e diasporës janë ata të cilët zgjedhin të bëjnë pushimet në Shqipëri dhe tashmë iu ofrohet mundësia t’i kalojnë në një hotel markë ndërkombëtare dhe familjare për to në vendet ku jetojnë.
Nga ana tjetër, grupi “Accor” është i pranishëm me 5800 hotele deri në të gjithë botën dhe kjo përhapje ka krijuar një komunitet anëtarësh të abonuar të konsiderueshëm. Ata gjithnjë pushojnë brenda markave të grupit dhe të qenët për momentin i vetmi në Shqipëri na bën zgjedhje të domosdoshme nga të gjithë ata të abonuar që vizitojnë Shqipërinë.
Siç u përmend më parë, fakti që jemi në bregdet, patjetër që na krijon fenomenin sezon dhe josezon, por lehtësitë e hotelit të lartpërmendura si pishina e brendshme, SPA dhe salla e konferencave krijojnë mundësinë për të tërhequr pushues gjatë fundjavave dhe kompani të ndryshme për zhvillime të aktiviteteve.
Si e prisni të jetë viti 2022 për ju, duke pasur parasysh që tashmë nuk ka më kufizime për shkak të pandemisë?
Heqja e masave kufizuese, jo vetëm nga autoritetet shqiptare, por edhe ato të huaja nga ku vijnë pjesa më e madhe e pushuesve tanë, mendojmë se do garantojë që sezoni veror i vitit 2022 të jetë edhe më i suksesshëm se ai i vitit 2021.
“Mövenpick Hotel” hapi dyert vjet, më 3 Korrik, ndërsa sivjet mund të shfrytëzojmë një sezon të plotë veror. Shumë nga klientët tanë të vjetshëm kanë rezervuar paraprakisht pushimet e tyre për këtë vit me ne. Kërkesa rritet çdo ditë e më shumë që i afrohemi hapjes së sezonit.
Ka një rritje të vazhdueshme çmimesh nga energjia te karburantet apo ushqimet, si e kanë ndikuar këto të fundit koston tuaj të paketave dhe operimit?
Pavarësisht se ne jemi markë ndërkombëtare dhe vendimet mbi vendosjen e çmimeve ndikohen nga politikat e markës, në mënyrë që oferta të jetë në një linjë kudo në botë, këto politika nuk mund të jenë indiferente ndaj fenomenit lokal të rritjes së çmimeve.
Ne duhet të ecim dhe t’i përmbahemi hapit kohor me të cilin ecën rrjeti mëmë, prandaj jemi duke u orientuar drejt prodhimit të pavarur të energjisë elektrike, si dhe prodhimit bio të produkteve tona ushqimore. Tani që flasim, hoteli po investon në prodhim të energjisë elektrike me panele diellore.
Nga ana tjetër, që në fillimet e operimit, shumica e produkteve të ofruara nga restorantet tona vjen nga ferma jonë dhe prodhuesit lokalë. Kjo përbën një garanci për vetë hotelin mbi atë çfarë servir, por edhe për klientët tanë.
Natyrisht, çmimet e paketave tona ndikohen nga rritja çmimeve të një game të gjerë produktesh që furnizojnë këtë industri, por ne do të jemi gjithmonë dinamik në çmimet tona, duke iu përgjigjur kërkesë-ofertës së tregut dhe asaj çfarë ofrojmë si paketë shërbimesh.
LEXONI EDHE
Dyndja e markave të hoteleve pas lehtësimit nga taksat, a ka vend për të gjitha?!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.