Kjo ka më shumë rëndësi se marrëveshjet e sotme tregtare
Dy vitet e fundit, investitorë dhe drejtues të përfshirë në tensionet tregtare ndërmjet Amerikës dhe Kinës, e kanë parë veten në mes të dy kaheve, panikut dhe mospërfilljes, shkruan The Economist.
Shpresat për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet dy shteteve ndikuan në rritjen e tregjeve globale, me një kërcim prej 13% gjatë këtij viti. Por besimi dhe shpresat u thyen sërish, nga deklarata e fundit e z. Trump (më 5 maj) ku ai tha se do të vendoste tarifa të tjera mbi importet kineze.
Gjithsesi askush nuk duhet të krijojë iluzione, sepse edhe në rastin më të mirë të arritjes së një marrëveshjeje, dallimet e shumta në modelet ekonomike ndërmjet këtyre dy shteteve nënkuptojnë se marrëdhëniet e tyre tregtare do të vazhdojnë të jenë të paqëndrueshme edhe gjatë viteve të ardhshme. Tensione të shumta tregtare kanë gjetur zgjidhje nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve të rëndësishme. Kështu, për shembull, në vitet 1980, tensionet midis Japonisë dhe Amerikës u zgjidhën nëpërmjet nënshkrimit të “Marrëveshjes Plaza”. Në shtator të vitit të kaluar, z. Trump vendosi të zëvendësojë Marrëveshjen e NAFTA-s, tek e cila bazohet ecuria e marrëdhënieve tregtare të Amerikës me Kanadanë dhe Meksikën, me një marrëveshje pothuajse të ngjashme, por nën një tjetër emërtim (edhe pse marrëveshja e re ende nuk është miratuar nga Kongresi).
Por bisedimet me Kinën kanë qenë një sipërmarrje shumë e vështirë, e cila ka përfshirë “ushtri negociatorësh”, të cilët kanë lëvizur për muaj me radhë ndërmjet Pekinit dhe Kinës dhe megjithatë nuk kanë qenë kurrë të aftë të realizojnë ndryshime vendimtare në modelin ekonomik të Kinës, gjë për të cilën shpreson shumë Uashingtoni. Edhe pse mund të tingëllojë e çuditshme, këto dy shtete kanë disa pika të përbashkëta. Kina dëshiron të blejë më shumë mallra amerikane, duke përfshirë sojën dhe naftën e shistit argjilor, në një përpjekje për të shkurtuar deficitin tregtar dypalësh, një objektiv ekonomikisht i pakuptimtë, por që i përafrohet shumë asaj çka dëshiron edhe z. Trump.
Ajo është e gatshme të ndryshojë, duke i moderuar rregullat që pengojnë firmat amerikane nga kontrollimi i operacioneve të tyre në Kinë dhe të minimizojë vjedhjen e shfrenuar të pronësisë intelektuale të firmave të saj. Çdo marrëveshje do të përfshijë edhe premtime, të cilat kanë të bëjnë me kufizimin e rolit të qeverisë në ekonomi.
Por problemi është se, pavarësisht pretendimeve dhe kërkesave të Zyrës Ovale, edhe në rast se arrihet një marrëveshje me Kinën, gjasat janë të pakta, për të mos thënë zero, që ajo ta ndryshojë dhe ta zhvendosë modelin e ndjekur prej saj larg kapitalizimit shtetëror. Subvencionet e saj të mëdha për prodhuesit do të mbijetojnë. Numri i skeptikëve është rritur, sa i përket premtimeve tp shumta të qeverisë kineze se spektri i veprimit të kompanive shtetërore do të kufizohet. Në çdo rast, qeveria do të vazhdojë të japë kapital nëpërmjet një sistemi bankar shtetëror prej 38 trilionë dollarë asetesh.
Përpjekjet për të bindur Kinën duke i kërkuar që të miratojë një legjislacion më miqësor ndaj tregut nuk ka gjasa të realizohen, duke qenë se Partia Komuniste është mbi ligjin në Kinë. Pothuajse të gjitha kompanitë, duke përfshirë këtu edhe kompanitë private të teknologjisë, do të vazhdojnë të ndikohen nga qeliza partiake, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në vendimmarrjen e tyre.
Dhe duke qenë se kompanitë në Kinë po bëhen më të sofistikuara nga ana teknologjike dhe po zgjerohen edhe në shtete të tjera jashtë vendit, tensionet mbi motivet kryesore të këtij zgjerimi do të intensifikohen. Përplasja themelore e sistemeve ekonomike është theksuar më shumë nga politika. Në një atmosferë mosbesimi, të dyja palët kanë anashkaluar Organizatën Botërore të Tregtisë, strukturën globale që merret me trajtimin e mosmarrëveshjeve tregtare, duke zgjedhur një qasje transaksionale ndaj bisedimeve të mbushura plot me mashtrime dhe kërcënime. Ndërkohë që gjendja shpirtërore e shumë amerikanëve brenda shtetit ka ndryshuar.
Çuditërisht, shumë demokratë tani e akuzojnë z. Trump se po tregohet i butë me Kinën. Duke fituar më pak se 5% të fitimeve të tyre të kombinuara në Kinë dhe duke gëzuar një rritje në tregun e tyre brenda vendit, firmat e mëdha të Amerikës mbështesin linjën e ashpër. Ndërkohë në Pekin, thirrja për rritje të vetëbesimit ekonomik po gjen mbështetje të madhe në popull. Në një moment të caktuar gjatë këtij viti, nga lëndina e Shtëpisë së Bardhë, z. Trump dhe Xi Jinping, homologu i tij kinez, mund të shpallnin një epokë të re në marrëdhëniet midis dy superfuqive që ata përfaqësojnë. Edhe nëse kjo gjë ndodh, mos besoni çdo gjë që do të dëgjoni.
Mësimet nga dekada e kaluar na kanë treguar se marrëdhëniet e qëndrueshme tregtare ndërmjet dy vendeve mund të kenë sukses dhe jetëgjatësi atëherë kur këto shtete kanë shumë të përbashkëta me njëra-tjetrën, duke përfshirë këtu edhe pikëpamjen e përbashkët sesi tregtia duhet të funksionojë dhe mbi të gjitha, angazhimin për zbatimin e rregullave ligjore. Aktualisht bota ka dy superfuqi, me vizione të kundërta ekonomike, rivalitet gjeopolitik në rritje dhe një ndjenjë të lartë dyshimi ndaj njëra-tjetrës. Pavarësisht se çfarë zgjidhje do t’i jepet luftës tregtare të ditëve të sotme, dallimet e thella ndërmjet këtyre dy shteteve nuk ka gjasa të ndryshojnë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.