Marrëdhëniet e punësimit rregullohen nga Kodi i Punës

03/07/2018 3:24 PM 0 komente

Prononcim i Bankës së Shqipërisë

 

Banka e Shqipërisë pohon në një prononcim të posaçëm për “Monitor” se në proceset e shitblerjes dhe bashkimit të bankave, ajo informohet në lidhje me strukturën e re organizative, me përshkrimin e veçantë të punës dhe të përgjegjësive të personave me të drejta dhe përgjegjësi të veçanta si dhe lidhur me numrin e mundshëm të punonjësve.

Por, ajo thotë se nuk ka për detyrë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, pasi ka struktura të veçanta publike që janë ngarkuar me ligj për këtë mbikëqyrje, siç mund të jetë Inspektorati i Punës.

Procesi i përthithjes së Grupit Veneto Banka dhe Banca Popolare di Vicenza me Grupin Intesa Sanpaolo u kushtoi taksapaguesve italianë 17 miliardë euro, nga këto 3 miliardë euro për impaktin social (punonjësit + filialet + detyrimet ndaj palëve të treta, kontratë furnitorësh, procese gjyqësore, etj.). Në marrëveshjen e Bashkimit mes Veneto dhe Intesa në Itali thuhet se integrimi i dy bankave dhe punonjësve të tyre do të bëhet pa pushime nga puna dhe vetëm përmes largimeve vullnetare. Po Banka e Shqipërisë, a i ndjek rekomandimet e Bankës Qendrore Europiane për këtë proces të ndërlikuar dhe të stërgjatur në Itali? A keni marrëveshje, apo a mund të ushtroni autoritetin tuaj mbi bankat për të reduktuar pasojat sociale?

Procesi i ndryshimit të aksionerit të Bankës Veneto është kryer në komunikim dhe bashkëpunim të plotë me Bankën Qendrore Europiane dhe Bankën e Italisë. Edhe në rastin tonë, ekziston një Marrëveshje e Bashkimit me Përthithje, të cilën Banka Intesa Sanpaolo Albania në pozicionin e bankës përthithëse e ka bërë tashmë publike. Banka angazhohet se racionalizimi i punëmarrësve të agreguar, si pasojë e ristrukturimit të bankave që rezulton nga bashkimi, do të menaxhohet në përputhje me ligjin e punës të vendit dhe pasojat e bashkimit për punonjësit e Veneto Bank Albania do të burojnë në bazë të neneve 138, 139 dhe 139/1 të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë po ndjek me vëmendje çdo diskutim me Këshillin e Punëmarrësve të Veneto Bank dhe konsultimet me Ministrinë e linjës për arritjen e një marrëveshje të mundshme.

A ka një strukturë në Bankën e Shqipërisë që i ndjek këto procese, që priten të ndodhin edhe në banka të tjera, pasi sistemi bankar është në një proces shitblerjesh? Cili duhet të jetë autoriteti që duhet të mbrojë punonjësit?

Mbështetur dhe në zbatim të dispozitave të Ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar (ligji për bankat), bankat mund të transferojnë pronësinë e një aksioneri me pjesëmarrje influencuese ose kontrollin tek një palë e tretë, si dhe mund të riorganizohen juridikisht nëpërmjet bashkimit, ndarjes ose çdo forme tjetër të ngjashme.

Këto procese kryhen me miratimin paraprak të Bankës së Shqipërisë pas plotësimit nga bankat dhe vlerësimit nga Banka e Shqipërisë të kërkesave për kriteret dhe dokumentacionin të parashikuara në legjislacionin në fuqi. Më konkretisht, në ligjin për bankat të sipërpërmendur dhe në rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”, nr. 14, datë 11.3.2009, e ndryshuar, Banka e Shqipërisë, pasi shqyrton dhe verifikon dokumentacionin e paraqitur, merr vendimin për miratim ose refuzim lidhur riorganizimin e bankës apo transferimin e pronësisë.

Gjatë këtyre proceseve, Banka e Shqipërisë bëhet me dije në lidhje me strukturën e re organizative, me përshkrimin e veçantë të punës dhe të përgjegjësive të personave me të drejta dhe përgjegjësi të veçanta, si dhe lidhur me numrin e mundshëm të punonjësve. Megjithatë, Banka e Shqipërisë nuk ka për detyrë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, pasi ka struktura të veçanta publike që janë ngarkuar me ligj për këtë mbikëqyrje siç mund të jetë Inspektorati i Punës.

A keni ndonjë vlerësim se cili pritet të jetë ndikimi tek punonjësit në sistemin bankar nga procesi i shitblerjeve?

Siç e përmendëm edhe më sipër, Banka e Shqipërisë kërkon informacion nga bankat dhe njihet gjatë procesit të miratimeve ndër të tjera dhe me pasojat e mundshme ndaj punëmarrësve e përfaqësuesve të tyre, si dhe masat e propozuara. Bankat janë të detyruara të respektojnë rregullat dhe procedurat e përcaktuara në legjislacionin e punës, apo Kodit të Punës, ku përfshihen edhe dispozitat e pushimit kolektiv. Moszbatimi i detyrimeve që burojnë nga Kodi i Punës, mund të rezultojë në përballjen e bankave me detyrime ligjore dhe financiare shtesë dhe për këtë arsye bankat udhëzohen të zbatojnë me saktësi procedurat e parashikuara në dispozitat e Kodit të Punës.

Si pritet të ndikojë në sistemin bankar përthithja e Veneto nga Intesa?

Përthithja e Bankës Veneto nga Banka Intesa në Shqipëri është rrjedhojë indirekte e një vendimi të iniciuar nga Banka Qendrore Europiane e shteti italian, ndërkohë që situata e Bankës Veneto në Shqipëri ishte e qëndrueshme. Banka e Shqipërisë mbështet konsolidimin e mëtejshëm të sistemit bankar, duke favorizuar prezencën e grupeve të mëdha bankare me origjinë nga vendet e BE-së, që synojnë të jenë eficient e të mbështesin nëpërmjet financimeve ekonominë vendase.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of