Ministrat e Energjisë të BE-së kanë nënshkruar një marrëveshje për të reduktuar konsumin e gazit me 15%, por marrëveshja është e mbushur me përjashtime për shumë shtete anëtare.
Përpjekja për t’i bërë vendet e Bashkimit Europian që të bien dakord për të reduktuar “vullnetarisht” konsumin e tyre të gazit me 15% ka nxjerrë në pah ndarjet e mëdha midis shteteve anëtare.
Presidenca çeke e BE-së mblodhi ministrat e energjisë të vendeve të BE-së në një takim urgjent në Bruksel të martën, në përpjekje për të gjetur unitet mbi propozimin e javës së kaluar nga Komisioni Europian, i cili ekspozoi ndarje të thella midis vendeve të BE-së.
Megjithëse marrëveshja u arrit, ajo u pasua nga një paralajmërim vendimtar – vendet mund ta bënin këtë “me masat e zgjedhura prej tyre”.
Propozimi origjinal synonte t’i jepte mundësi Brukselit që të aktivizojë një alarm emergjent, i cili do të kërkonte “ulje të detyrueshme të kërkesës për gaz” në të gjitha vendet e bllokut.
Ajo për të cilën u ra dakord është krejt ndryshe.
I ashtuquajturi “Alarmi i Unionit” mund të aktivizohet vetëm nëse pesë ose më shumë shtete anëtare deklarojnë një alarm në nivel kombëtar, ose nëse Këshilli Europian, i cili është organi i BE-së i përbërë nga qeveritë kombëtare, i thotë Komisionit që ta bëjë këtë.
Komisioni i BE-së mund të propozojë aktivizimin e “Alarmit të Unionit”, por qeveritë do të duhet ta miratojnë atë.
Ndarja Veri-Jug
Betejat mbi këtë propozim filluan kur vendet që nuk kanë një varësi të madhe nga gazi rus, si për shembull Spanja dhe Portugalia, filluan të ngrenë shqetësime se çfarë do të thoshte ulja prej 15% për qytetarët e tyre.
“Për të qenë politikisht i zbatueshëm në një kontekst të mungesës së gazit, të çmimeve të larta të energjisë dhe të rreziqeve të përgjithshme të recesionit, solidariteti i energjisë në BE duhet të ndryshojë,” tha për DW Simone Tagliapietra, i angazhuar në institutin ekonomik Bruegel.
Këto vende janë qetësuar nëpërmjet një sërë përjashtimesh të ndryshme. Shtetet që nuk janë të lidhura me rrjetet e gazit të vendeve të tjera, si për shembull shtetet ishullore të Irlandës, Maltës dhe Qipros, janë të përjashtuara. Shtetet mund të heqin dorë nga kjo përgjegjësi nëse tejkalojnë objektivat e tyre të magazinimit të gazit.
“BE-ja duhet të krijojë një mekanizëm kompensimi që synon ofrimin e pagesave të drejta për opsionet e ofertës dhe të kërkesës së gazit në BE, të cilat do të vihen në dispozicion nga disa vende për ato më vulnerabël,” tha Tagliapietra. “Tani nuk është momenti për të ringjallur ndarjen e vjetër Jug-Veri dhe për të lejuar që strategjia e Putinit ‘përça dhe sundo’ të funksionojë.”
Hungaria, vendi më pro-rus i BE-së, ishte i vetmi shtet anëtar që votoi kundër marrëveshjes. Në të vërtetë, javën e kaluar, ministri i jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, shkoi në Moskë në përpjekje për të siguruar një rritje të furnizimeve me gaz rus.
Kur u pyet për Hungarinë, zëvendëskryeministri çek, Jozef Sikela, u tha gazetarëve në Bruksel se nuk dëshironte të diskutonte në lidhje me pozicionin e një shteti të vetëm.
“Ne kemi një dakordësi të qartë, solidaritet të qartë dhe duam t’i dërgojmë një sinjal të qartë botës dhe Kremlinit,” tha ai.
Të gjithë sytë nga Berlini
Gjermania është shumë e varur nga importet e gazit rus dhe po përballet me reduktime të përsëritura të furnizimeve përmes gazsjellësit Nord Stream 1. Rusia ka njoftuar se, duke filluar që nga e mërkura, ajo do të reduktojë më tej furnizimet me gaz përmes tubacionit, duke i ulur ato me 20%, nga 40% që janë aktualisht.
“Brukseli nuk përballet me pasoja politike nga racionimi i mundshëm i gazit, por kjo mund të dëmtonte shumë qeveritë e shteteve,” tha për DW Jacob Funk Kirkegaard, i angazhuar në Fondin Gjerman Marshall. “Shumë shtete anëtare kanë diversifikuar furnizimet e tyre duke u larguar nga gazi rus, ndërsa Gjermania sigurisht që nuk e ka bërë këtë, dhe politikisht duhet të paguajë një çmim.”
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, i cili mori pjesë në Këshillin e Energjisë në Bruksel, tha se kjo marrëveshje do t’i tregojë presidentit rus Vladimir Putin se Europa mbetet e bashkuar përballë reduktimeve të fundit të furnizimeve me gaz nga Moska.
“Nuk do të na ndani”, tha ai.
Sipas institutit të klimës E3G, 50% e të gjithë konsumit total të gazit në BE ndodh në tre ekonomitë më të mëdha të bllokut: Gjermania, Franca dhe Italia. Megjithatë, Kirkegaard nga Fondi Gjerman Marshall është relativisht optimist në lidhje me perspektivën e marrëveshjes.
“Gjermania do të bëjë në mënyrë disproporcionale më shumë për të ulur kërkesën”, tha ai. “Në përgjithësi, ajo do të kufizojë kërkesën dhe nevojën e BE-së për racionime gjatë dimrit, në përmasa të mjaftueshme sa për të zbutur rënien më të keqe ekonomike.”/ DW