Marrëveshja e taksës e rënë dakord nga shtetet kryesore më të zhvilluara në botë tregon provën e parë thelbësore të ringjalljes së bashkëpunimit ndërkombëtar, që kur Presidenti Joe Biden e solli SHBA-n përsëri në tryezën e negociatave. Megjithatë ka ende një rrugë të gjatë përpara se ajo të mund të vihet në zbatim.
“Kjo është pika fillestare” tha Ministri francez i Financave Bruno Le Maire, duke u zotuar se “në muajt e ardhshëm ne do të luftojmë për të siguruar që kjo normë minimale e taksës së korporatave të jetë sa më e lartë”.
Marrëveshja synon të mbyllë boshllëqet që shumëkombëshet kanë shfrytëzuar për të ulur faturat e tyre tatimore, duke u siguruar që ata të paguajnë më shumë në vendet ku operojnë. Ministrat e G7 mbështetën një normë minimale globale prej të paktën prej 15 për qind dhe ranë dakord që shtetet duhet të kenë të drejtën të taksojnë një pjesë të caktuar të fitimit të shumëkombësheve më të mëdha dhe më fitimprurëse, në vendet ku ai gjenerohet.
Sidoqoftë, shumë është lënë për t’u diskutuar dhe vendosur në marrëveshjet më të gjera globale, të cilat po zhvillohen midis 139 vendeve në selinë e OBZHE-së në Paris. Pengesa e parë me të cilën u përball marrëveshja e G7 është sigurimi i mbështetjes së grupit të kombeve G20, i cili do të takohet në Venecia muajin tjetër. Ndërsa OBZHE-ja vlerëson se propozimet mund të gjenerojnë një rritje prej 50 – 80 miliardë dollarë amerikanë në vit në të ardhurat nga taksat, shuma aktuale e mbledhur do të ndryshojë shumë në varësi të detajeve teknike të marrëveshjes përfundimtare globale.
Dy faktorë do të kenë një ndikim të veçantë: norma në të cilën do të vendoset çdo minimum dhe nëse vendet që zbatojnë minimumin mund ta vendosin atë mbi të ardhurat e gjeneruara në vendet që nuk e kanë.
OJQ-të kritikuan minimumin prej 15 për qind si një normë shumë të ulët. Por Gabriel Zucman, një ekonomist në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, i njohur për punën e tij studimore mbi parajsat fiskale, shkroi në Tëitter se marrëveshja ishte “historike, e papërshtatshme dhe premtuese”, sepse ndërsa 15 për qind ishte normë shumë e ulët, nuk kishte asnjë pengesë për të arritur në një normë më të lartë.
Ministrat dhe zyrtarët e G7 e theksuan faktin se marrëveshja e tyre nuk do të thoshte se bota kishte rënë dakord për ndryshimet në taksimin ndërkombëtar, po në vend të kësaj, ata e trajtuan atë si një përpjekje ambicioze për të nxitur bisedimet globale.
Kjo u pranua edhe nga shtetet e tjera. Ministri Irlandez i Financave, Paschal Donohoe, u bashkua me ministrat e G7 në Londër, megjithëse ai gjithmonë ka mbrojtur nivelin e një norme prej 12.5 për qind për vendin e tij.
Pas njoftimit, ai shkroi në Twitter: “Unë tani pres që të përfshihem në diskutimet në OBZHE-së. . . çdo marrëveshje do të duhet të plotësojë nevojat e vendeve të vogla dhe të mëdha, të zhvilluara dhe në zhvillim”.
Dy janë shtyllat kryesore në të cilat bisedimet globale duhet të përqendrohen: E para është ajo që ka të bëjë me kërkesën e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë, të cilat kërkojnë që kompanitë më të mëdha në botë, veçanërisht gjigandët dixhitalë të SHBA-së si Facebook, Google dhe Apple, të paguajnë më shumë taksa në vendet e tyre.
Ndërsa Sekretarja e Thesarit e SH.B.A., Janet Yellen u përqendrua në shtyllën e dytë: një normë minimale globale prej “të paktën 15 për qind”.
Kjo do të gjeneronte më shumë të ardhura për qeverinë federale në Uashington. E para kërkon një marrëveshje globale dhe legjislacionin amerikan që duhet të kalojë përmes Kongresit, ndërsa e dyta, që OBZHE-ja vlerëson se do të sigurojë më shumë të ardhura shtesë, mund të zbatohet në mënyrë të njëanshme, por do të funksiononte më mirë nëse shumë vende do të binin dakord.
Përveç këtyre çështjeve kryesore, mbeten edhe shumë pyetje teknike të cilat duhet të diskutohen dhe t’u jepet një përgjigje.
E pyetur se si do t’ia paraqiste këtë marrëveshje ligjvënësve amerikanë, gjithmonë për t’i bindur ata, Yellen tha se “marrëveshja do të siguronte një nivel sigurie për korporatat në SH.B.A. dhe ato globalisht për mjedisin në të cilin do të operojnë dhe se pikërisht ky mjedis ka qenë shumë i paqëndrueshëm”.
Privatisht disa ministra u shprehën se urgjenca për të arritur një marrëveshje në G7 ishte për të treguar se vendet e pasura kishin ende rëndësi, në një përpjekje për t’i treguar botës se shekulli 21 nuk do të dominohej nga rregullat e vendosura nga Kina. Perëndimi po kërkon të rimarrë kontrollin e axhendës globale duke arritur marrëveshje në fusha të diskutueshme të politikave pas katër viteve të administratës Trump kur kjo gjë ishte e pamundur. /Financial Times