Qeveria franceze dhe sindikatat nënshkruan një marrëveshje të hënën duke dhënë mbi tetë miliardë euro për rritjen e pagave të punonjësve të kujdesit shëndetësor, ndërsa kryeministri pranoi se masa ishte e vonuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Gjatë kulmit të shpërthimit të virusit në Francë, njerëzit duartrokisnin çdo natë punonjësit e shëndetësisë, nga ana tjetër këta të fundit e cilësonin si të pamjaftueshme nëse nuk shoqërohej me hapa konkret.
Pjesa më e madhe e kësaj pakete përfshin 7.5 miliardë euro që do të shkojnë për rritjen e pagave për infermierët dhe punëtorët e përkujdesjes, të cilët do të marrin një rritje mesatare mujore prej 183 euro.
Pjesë e paketës janë edhe 450 milionë euro që shkojnë për pagat e mjekëve, të vetëm atyre që punojnë në sektorin publik.
“Askush nuk mund të mohojë që ky është një moment historik për sistemin tonë shëndetësor,” tha kryeministri Jean Castex pas nënshkrimit të kontratës, që erdhi pas shtatë javësh bisedime midis qeverisë dhe sindikatave.
“Kjo është para së gjithash një mirënjohje për të gjithë ata që kanë qenë në vijën e parë në luftë me pandeminë”, tha ai.
Nga epidemia e Covid-19 kanë humbur jetën mbi 30 mijë persona në Francë, megjithëse shkalla e infeksionit ka rënë dukshëm zyrtarët mbeten të kujdesshëm ndaj rrezikut të një valë të dytë./France24