Bashkimi Europian është në proces për të përfunduar një marrëveshje me gjigantin farmaceutik Pfizer-BioNTech, për atë që është cilësuar si marrëveshja më e madhe në botë e vaksinave COVID-19.
New York Times raporton se marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar akoma, do t’i sigurojë BE-së 1.8 miliardë vaksina deri në vitin 2023.
Kjo do të ishte marrëveshja më e madhe e vaksinave në histori dhe mund ta ndihmojë shumë bllokun në drejtim të lehtësimit të vaksinimit.Tashmë Pfizer ka rënë dakord të sigurojë 300 milionë doza që gjigandi farmaceutik tashmë i ka premtuar BE-së në një marrëveshje të mëparshme.
Gjtihashtu gjatë muajit shkurt, Pfizer dhe BioNTech ranë dakord të sigurojnë edhe 200 milionë doza shtesë të vaksinës së tyre.
Një marrëveshje e vaksinave Pfizer – BE e lindur nga diplomacia personale
Procesi filloi përmes një diplomacie të gjerë personale midis Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe CEO të Pfizer, Albert Bourla. Sipas raportit të Times, von der Leyen dhe Bourla shkëmbyen tekste të panumërta dhe telefonata për një muaj të tërë para se të hartohej marrëveshja.
Kontaktet e tyre të para u vendosën në janar të 2020 dhe vetëm në shkurt intensiteti i ndërveprimit të tyre filloi të rritej shumë. Z. Bourla shpjegoi në një intervistë se biseda të tilla me një zyrtar të lartë qeveritar nuk ishin aspak të rralla për të. Ai tha se ndërmjet tij dhe von der Leyen kishin ishte “zhvilluar një besim i thellë, sepse kemi hyrë në diskutime të thella”.
Më parë, BE-ja ishte e varur nga kompania britanike e ilaçeve AstraZeneca për furnizimin e saj me vaksina
Sidoqoftë, blloku nisi një proces gjyqësor këtë javë kundër kompanisë për vonesat në shpërndarjen e vaksinës. AstraZeneca ishte zotuar një herë për të shpërndarë 120 milionë doza vaksinash deri në fund të Marsit, por në të vërtetë dorëzoi vetëm 29.7 milionë vaksina deri në atë afat. BE-ja ka afërsisht 448 milionë banorë, më shumë se njëqind milionë më shumë sesa popullsia amerikane prej 328 milionë banorësh. Kjo marrëdhënie hasi edhe në një tjetër pengesë në momentin kur u raportua se vaksina AstraZeneca mund të shkaktojë probleme me mpiksjen e gjakut. Pasi përdorimi i vaksinës ishte ndaluar nga BE-ja pas raporteve të trombozës dhe vdekjes tek ata që kishin marrë vaksinën, rregullatori i ilaçeve pranoi se gjeti një “lidhje të mundshme” midis vaksinës AstraZeneca për Covid-19 dhe një çrregullimi të rrallë të mpiksjes së gjakut.
Autoriteti rregullator i barnave i BE-së, Agjencia Europiane e Barnave, publikoi rezultatet e hetimit të tij intensiv mbi sigurinë e vaksinës AstraZeneca për Covid-19 në fillim të Prillit, duke thënë se përfitimet e saj ende e tejkalojnë çdo rrezik të mundshëm të formimit të mpiksjes së gjakut.
Por në intervistën e saj me New York Times, von der Layen fajësoi vonesat e prodhimit të AstraZeneca si një prej faktorëve kryesorë të ngadalësimit të vaksinimit të BE-së.
“E dija që rritja e dërgesave do të kishte një fillim të ngadaltë dhe gjithashtu unë e dija që tremujori i parë do të ishte i vështirë. Por unë nuk e prisja që të ishte kaq i vështirë, sepse ne nuk e përfshymë mundësinë që AstraZeneca të ulte dërgesat me 75%. Kjo ishte një pengesë shumë e madhe”, tha më tej von der Layen.
Vaksinimi i Greqisë në mbi 2 milionë
BE-ja ka mbetur pas homologëve të saj si Shtetet e Bashkuara, Britanisë dhe disa vendeve të tjera në fushatën e vaksinimit. Greqia megjithatë raportoi se një në katër prej shtetasve të saj tashmë ka marrë të paktën një dozë të vaksinës COVID 19.
Shkalla e vaksinimeve në Greqi është pothuajse e njëjtë me pjesën tjetër të vendeve të BE-së. Megjithatë, 300,000 doza të tjera janë planifikuar të dorëzohen në maj, dhe rreth 960,000 në qershor. Greqia ka marrë vaksina Pfizer-BioNTech, AstraZeneca dhe Moderna.
Zyrtarët në Greqi njoftuan planet për të filluar rihapjen e vendit në 14 maj, tamam në kohë për nisjen e sezonit turistik. Disa kufizime mbeten në fuqi për të frenuar virusin përpara datës së planifikuar të rihapjes.