Kosova mund të marrë kredi deri në 62 milionë euro nga shteti i Hungarisë, pasi sot është miratuar edhe projektligji për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes të lidhur ndërmjet dy qeverive
Komisioni për Buxhet ka miratuar Projektligji për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes të lidhur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Hungarisë në lidhje me Programin Kornizë për bashkëpunim financiar, ku vendi mund të marrë kredi deri në 62 milionë euro.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se janë bërë disa ndryshime në amendamentin e bashkëpunimit financiar të Qeverisë hungareze dhe asaj kosovare. Ai ka thënë se shuma e kredisë që Hungaria ka ofruar për Kosovën është 62 milionë euro dhe është kërkuar që të zgjatet afati i kryerjes së pagesës.
“Ka disa ndryshime të kërkuara nga ministria hungareze. Dhe po e riprocedojmë edhe një herë këtë amendament. Të gjithë hapat ligjorë janë ndjekur për negocimin e Marrëveshjes. Bëhet fjalë për një kredi të butë që Qeveria e Hungarisë i ka ofruar Qeverisë së Kosovës. I vetmi ndryshim është që të zgjatet afati i pagimit të kredisë”, është shprehur Murati.
Nënkryetari i Komisonit, Mergim Lushtaku, ka kërkuar informim më të madh për një amendament që ka kosto 62 milionë dhe ka pyetur se për çfarë shpenzime do të shfrytëzohen këto.
Kurse, Murati ka thënë se kredia do të shpenzohet për projekte të cilat nuk janë përcaktuar, por që mund të jenë si për impiante të ujit e për infrastrukturë. “Sa u përket projekteve nuk janë përcaktuar por mbetet të përcaktohen më vonë. Ka pasur fjalë për projekte për impiante uji e infrastrukture”, është përgjigjur Murati.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se kjo marrëveshje ka disa paqartësi. Ndërsa, Komisioni për Buxhet nuk e ka proceduar raportin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2020,
Nazim Rrahimi, kryetar i Bordit të ARKEP-it, ka thënë se gjatë vitit 2020, buxheti i këtij institucioni ka qenë 1.6 milionë euro dhe si problematikë ka theksuar inkasimin e borxheve, veçuar këtu atë të Telekomit në vlerë 6.9 milionë euro.
“Buxheti i ARKEP-it për vitin 2020 ka qenë 1.6 milionë. Janë reduktuar shpenzimet kapitale. Buxheti është rishikuar dy herë radhazi. Përqindja e shpenzimit të buxhetit ka qenë në vlerën 97 për qind. Të hyrat vetanake kanë qenë rreth 4.2 milionë euro. Gjatë vitit 2020 ka pasur probleme në inkasimin e disa borxheve si ato të Telekomit në vlerë 6.9 milionë”, është shprehur ai.
Ndërsa sfidë, për këtë institucion, sipas Rrahimit mbetet mungesa e stafit dhe pagat e ulëta. “Konsiderojmë që kemi disa sfida si numër i vogël i punëtorëve profesionist ku kemi staf të vogël prej 34 zyrtarëve. Është kërkesë imediate që të shtohet ky numër në mënyrë që menaxhimi i institucionit të jetë më efikas. Sfidë është edhe çështja e pagës”, ka thënë ai.
Ai shtoi se nga Zyra e Auditimit nuk ka pasur asnjë gjetje dhe se pasqyrat financiare prezantohen të drejta dhe të vërteta. Ndërsa, kryetari i komisionit, Armend Muja, ka thënë se është e papranueshme që institucionit publik t’i ketë borxh institucionit tjetër publik si rasti i RTK-së ndaj ARKEP-it.
Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se është shqetësuese niveli i lartë i mosinkasimit të të hyrave. Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka pyetur se si do t’u qasen atyre që kanë borxhe ndaj tyre si ai i Telekomit.
“Telekomi është në krizën më të madhe të mundshme. Ose Qeveria duhet të kryem këto borxhe ose ju do të shkoni drejt falimentimit”, ka thënë ai. Ndërsa, kryetari i sapo emëruar i Bordit të ARKEP-it, Rrahimi ka thënë se kanë 10 milionë euro borxh të akumuluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.