Marrëveshja në Munih: Reagime nga Amerika, Kosova e Serbia 

14/02/2020 11:20 AM 0 komente

Në Munih të Gjermanisë është nënshkruar marrëveshja për rikthimin e trafikut hekurudhor midis Prishtinës dhe Beogradit në  prani të emisarit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richardh Grenell, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq. Pas kësaj marrëveshje kanë ndodhur edhe shumë reagime. 

 

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për hekurudha në mes të Kosovës dhe Serbisë në Gjermani, kanë reaguar nga ambasada amerikane në Berlin. 

Në profilin e ambasadës në Twitter shkruhet se Grenell e ka hapur konferencën e sigurisë së Mynihut duke nënshkruar marrëveshjen historike për hekurudhat dhe autostradat.

“Ambasadori Grenell e ka hapur Konferencën e Sigurisë në Mynih me nënshkrimin e marrëveshjes historike për hekurudhat dhe autostradat midis Serbisë dhe Kosovës, pas marrëveshjes së muajit të kaluar për të rivendosur fluturimet direkte midis Beogradit dhe Prishtinës”, shkruhet në njoftimin e ambasadës.

Kurse, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkruar në Twitter se nënshkrimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë është moment historik. 

Thaçi ka falenderuar Presidentin Trump dhe ambasadorin Richard Grenell për përkrahjen e tij në realizimin e marrëveshjeve.

“Një tjetër moment historik. Së pari me marrëveshjen për trafikun ajëror dhe sot nënshkruam marrëveshjen për hekurudhat dhe autostradat në mes Kosovës dhe Serbisë. Faleminderit, Donald Trump për udhëheqjen dhe Richard Grenell për vendosmërinë. Një hap i madh drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare për paqe mes dy shteteve”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

Ndërkaq, presidenti  i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se kjo marrëveshje është e mirë për serbët. 

“Kjo është shumë e rëndësishme për shkak të serbëve”, tha kreu i shtetit serb,  Aleksandar Vuçiq i cili përmendi posaçërisht serbët që jetojnë në Graçanicë, Anamoravë. Ajo që është nënshkruar është domethënëse për shkak të lirisë së lëvizjes, lëvizjes së mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve. Jam i lumtur që shoh përparimin sot dhe e falënderoj shumë Trumpin dhe Grenellin në emër të Serbisë, sepse të gjithë ne mendojmë se do të kemi një të ardhme më të mirë se kjo dhe që do të sigurojmë paqe për dekadat e ardhshme, tha Vuçiq pas nënshkrimit të dokumentit”. 

Firmat në këtë ujdi i vendosën nga delegacioni kosovar: Xhemë Veseli, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore, kurse nga pala serbe drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq. 

Marrëveshja për hekurudhat u bë pak para se nisjes së Konferencës së Sigurisë që tubon në Gjermani liderë nga e mbarë bota.

Kujtojmë se gjatë muajit janar është arritur një tjetër marrëveshje për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd; ndërsa sot pritet të nënshkruhet edhe për linjën hekurudhore.

Këto marrëveshje vijnë pas angazhimit të drejtpërdrejtë të dërguarit special të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovës-Serbi, Richard Grenell, i cili po ashtu është edhe ambasador i SHBA-ve në Gjermani.

Sa i përket marrëveshjeve, ambasadori Grenell ka thënë se këto dy marrëveshje, si dhe ajo e nënshkruar rreth rivendosjes së lidhjeve ajrore, janë në vazhdën e angazhimeve drejt zhvillimit ekonomik.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar sot në Munchen dy letra të shprehjes së interesit.

Siç është bërë e ditur, e para ka të bëjë për hekurudha dhe e dyta për autostrada – përmes së cilave marrëveshje, të dy vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.

/Monitor.al/. 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of