Negociatorët shpresojnë të finalizojnë një marrëveshje dy-vjeçare në ditët në vijim, ndërsa afrohet afati i pagesës
Presidenti Joe Biden dhe kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, i janë afruar një marrëveshjeje dyvjeçare, për të kufizuar shpenzimet e qeverisë dhe për të shmangur një falimentim aftësisë paguese të borxhit të SHBA, duke rritur shpresat për një fund të bllokimit fiskal në ekonominë më të madhe në botë.
Njerëz të njohur me marrëveshjen e mundshme, thanë se negociatorët po kërkonin të finalizonin marrëveshjen në ditët në vijim, përpara afatit të afërt të 1 qershorit, kur SHBA mund të mbesë pa para, për të paguar të gjitha detyrimet e saj financiare.
Shtëpia e Bardhë dhe republikanët në Capitol Hill, sugjeruan se bisedimet ishin në një vend më të mirë, megjithëse asgjë nuk ishte përfunduar. Nëse arrihet një marrëveshje, ajo ende do të përballet me vështirësi potenciale në Kongresin e ndarë, një situatë që mund të zgjasë pasigurinë mbi të ardhmen fiskale të SHBA-së edhe në javën e ardhshme.
“Kryetari McCarthy dhe unë kemi pasur disa biseda produktive dhe stafi ynë vazhdon të takohet ndërsa flasim – dhe ata po bëjnë përparime”, tha Biden, duke dhënë një ton optimist për bisedimet. “Unë besoj se do të arrijmë në një marrëveshje, që na lejon të ecim përpara, si dhe mbron fuqinë punëtore të vendit.”
Komentet e tij erdhën një ditë pasi Fitch, agjencia e vlerësimit të kredisë, paralajmëroi se mund të ulë vlerësimin e AAA të SHBA-së, për shkak të situatës ekstreme të krijuar nga mungesa e një marrëveshje mbi kufirin e borxhit shumë pa ditë para afatit të pagesës, mes shqetësimeve në rritje se stresi financiar, mund të përshkallëzohet në ditët në vijim, në mungesë të një kompromisi.
Si Biden ashtu edhe McCarthy, janë përballur me thirrje nga anëtarë të partive të tyre, për të mos hequr dorë nga lëshimet në shtrirjen përfundimtare të negociatave.
McCarthy madje pati edhe një bisedë telefonike me ish-presidentin Donald Trump, i cili u ka bërë thirrje republikanëve, që të pranojnë falimentimin, nëse Biden nuk bie dakord për shkurtime të thella të shpenzimeve. Më pas ai u mblodh me ligjvënësit kryesorë republikanë në zyrën e tij. “Ne kemi folur me Shtëpinë e Bardhë gjatë gjithë ditës dhe nuk është e lehtë,” u tha McCarthy gazetarëve. “Duhet pak kohë për ta realizuar dhe ne po punojmë shumë për ta përfunduar atë.”
Sipas njerëzve të njohur me bisedimet, pakti do të rregullonte trajektoren e politikës fiskale të SHBA-së deri në vitin 2025, pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm, kur Kongresi dhe administrata e re do të jenë në detyrë. Biden po kandidon për një mandat të dytë në anën demokrate, ndërsa Trump dhe Ron DeSantis, guvernatori i Floridës, janë pretendentët kryesorë për të fituar nominimin republikan.
Përveç rritjes së tavanit të borxhit dhe kufizimit të shpenzimeve deri atëherë, në tavolinën e bisedimeve janë gjithashtu masat për të përshpejtuar lejimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës dhe shtimin e kërkesave të reja të punës, në programet e rrjetit të sigurisë sociale.
Palët kanë debatuar gjithashtu, nëse do të shkurtojnë fondet për Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme, agjencinë e mbledhjes së taksave në SHBA, që ishte miratuar vetëm vitin e kaluar, në mënyrë që të mund të trajtonte më mirë shmangien e taksave dhe evazionin fiskal, midis familjeve të pasura.
Grupet e biznesit në Uashington u kanë kërkuar të dyja palëve, që të arrijnë një kompromis sa më shpejt që të jetë e mundur, për të shmangur një goditje potencialisht shkatërruese ekonomike dhe financiare.
“Çështja do të bëhet me të vërtetë delikate, nëse nuk ka marrëveshje në 24 orët e ardhshme,” tha Neil Bradley, zyrtari kryesor i politikave në Dhomën e Tregtisë së SHBA. “Ne jemi në fazë ku duhet patjetër, që gjërat të shkojnë mirë.”
Wally Adeyemo, zëvendëssekretari i Thesarit, u shpreh: “Unë mendoj se qëllimi i të gjithëve, është të sigurohemi që të rrisim kufirin e borxhit. Por, gjëja më e rëndësishme, siç e dinë të gjithë, është se ne nuk duhet të jemi këtu”, tha ai. “Kjo është një krizë e prodhuar.” / The Financial Times