Pas kësaj marrëveshjeje historike, një erë e re po fryn në Ballkan. Ky është një hap përpara për të zbutur tensionet në rajon dhe për avancimin e komunikimit mes dy vendeve dhe jo vetëm…
Kosova dhe Serbia nënshkruan të premten në Uashington, atë që është ndoshta marrëveshja më e rëndësishme mes dy shteteve deri më sot. Thelbi i marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e SHBA-së, është se tashmë Kosova dhe Serbia pajtohen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe angazhohen të bëhen pjesë e një projekti të lëvizjes së lirë të modelit ‘mini-Schengen’. Çështja më e nxehtë, ajo e njohjes reciproke, është lënë mënjanë, me vetëdijen se një hap i tillë do të kërkojë ende kohë. Por, marrëveshja në thelb, përfaqëson një shembull sesi pragmatizmi mbi interesat reciproke ekonomike mund të dalë mbi plagët historike dhe ndjeshmëritë e forta nacionaliste, që vështirësojnë marrëdhëniet normale mes dy vendeve. Përfitimet e prekshme ekonomike ndoshta mund ta bëjnë më të lehtë pajtimin dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në modelin e Europës së pasluftës së Dytë Botërore.
Por, kundrejt këtij modeli dhe aspiratave europiane, që ushqejnë vendet e rajonit, ajo që tingëllon ironike është se, sërish, Europa e tregoi veten të dobët për të diktuar konsensus në Ballkanin Perëndimor dhe kompromisi u arrit nën kujdesin dhe ndërmjetësinë e SHBA-së.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Serbia dhe Kosova ranë dakord që të normalizojnë marrëdhëniet ekonomike, duke e cilësuar këtë si “një tjetër angazhim historik”.
“Pas një historie të dhunshme dhe tragjike dhe vitesh negociatash të dështuara, administrata ime propozoi një mënyrë të re për të kapërcyer ndarjen. Duke u përqendruar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, të dy vendet ishin në gjendje të arrinin një përparim të vërtetë në bashkëpunimin ekonomik për një gamë të gjerë çështjesh,” tha Trump.
Pjesë e kompromisit është që Kosova do të pezullojë për një vit kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Serbia do të ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Në këndvështrimin politik, një nga arritjet kryesore të marrëveshjes është njohja e Kosovës nga Izraeli. Kryeministri Hoti dhe homologu izraelit, Netanjahu, ranë dakord për vendosjen e menjëhershme të marrëdhënieve diplomatike. Marrëveshja me Izraelin vjen pas një periudhe trevjeçare stanjacioni në arritjen e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës.
Në konferencën pas nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, detajoi pikat kryesore ekonomike të marrëveshjes. Ajo parashikon financimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, si autostradën Prishtinë-Merdarë, hekurudhën Prishtinë-Merdarë dhe një skemë të mbështetjes së madhe financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Përveç kësaj, të dyja palët do të angazhohen për një studim të përbashkët fisibiliteti mbi opsionet për lidhjen e infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port të detit të thellë në Adriatik.
Sipas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, marrëveshja përfshin gjithashtu investime të rëndësishme në energjetikë, që parashikojnë sjelljen e një linje të gazit natyror në Kosovë dhe ndërtimit të termocentralit me gaz. Projektet prekin shumën e një miliard eurove dhe do të financohen nga SHBA nëpërmjet institucioneve të ndryshme të zhvillimit, me angazhimin për nisjen e zbatimit të tyre brenda këtij viti.
Të dyja vendet janë pajtuar të punojnë me Departamentin amerikan për Energjinë për studim fisibiliteti në mundësinë e përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si burim për ujë dhe furnizim me energji.
Një ndër pikat e marrëveshjes së nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hot, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka të bëjë me pajtimin për të bashkëpunuar me zhvillues të besueshëm të rrjeteve për gjeneratën e ardhshme të komunikimeve të lëvizshme, 5G. “Të dyja palët do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G të furnizuar nga shitës të pabesueshëm në rrjetet e tyre të komunikimit. Kur pajisjet e tilla janë tashmë të pranishme, të dy palët do të angazhohen për heqjen dhe përpjekjet e tjera të ndërmjetësimit në mënyrën e duhur”, thuhet në marrëveshje.
Pas kësaj marrëveshjeje historike, një erë e re po fryn në Ballkan. Ky është një hap përpara për të zbutur tensionet në rajon dhe për avancimin e komunikimit mes dy vendeve dhe jo vetëm. Ndoshta dhe Shqipëria e Kosova, që prej vitesh po përpiqen pa shumë sukses të krijojnë urë ekonomike, duhet të “kërkojnë ndihmën” e presidentit Trump, i cili të tentojë edhe një marrëveshje mes dy vendeve që flasin të njëjtën gjuhë, me synim rritjen e nivelit të komunikimit ekonomik. Qoftë edhe për të hequr traun te tuneli, që krijon radhë kilometrike për shtetasit e Kosovës.
Biznesi mirëpret marrëveshjet ekonomike
Është e kuptueshme që marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike është mirëpritur, së pari, nga komuniteti i biznesit.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) është shprehur me një deklaratë zyrtare se marrëveshja do të krijojë mundësi për fuqizimin e sektorit privat dhe hapjen e potencialit të të dyja vendeve për rritje të përshpejtuar ekonomike.
“Normalizimi i marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë i hap rrugë vendit për zhvillim të mëtejshëm, duke ofruar mundësi të reja për rritjen e shkëmbimit të mallrave, tërheqjen e investimeve të huaja direkte, si dhe integrimin e plotë ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën e OEAK.
Sipas kësaj ode, adresimi i çështjeve ekonomike do të ndihmojë të dyja shtetet në aspektin e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës, ndërsa investimet në infrastrukturën hekurudhore dhe rrugore si dhe operacionalizimi i vendkalimit të integruar kufitar do të lehtësojnë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.
Oda Ekonomike Amerikane rithekson se fuqizimi i marrëdhënieve ekonomike të Kosovës me shtetet fqinje kontribuon në përmirësimin e imazhit të vendit, ndërsa përshëndet marrëveshjen si një hap shumë i rëndësishëm drejt avancimit shumë të nevojshëm ekonomik të vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.