Egjipti nënshkroi një marrëveshje taksimi të dyfishtë me Kroacinë gjatë pjesëmarrjes në takimet vjetore të Bankës Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë, të zhvilluar në Sharm El-Sheikh.
Ministri i Financave, Mohamed Maait, i cili është edhe guvernator i Egjiptit në Bankën Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë, deklaroi se marrëveshja e taksimit të dyfishtë midis Egjiptit dhe Kroacisë, pasqyron zotimin e dy vendeve për të përmirësuar marrëdhëniet ekonomike, tregtare dhe investuese, duke ruajtur të drejtat tatimore.
“U diskutuan propozimet për ta bërë Kroacinë një portë për eksportet egjiptiane në tregjet europiane”, shtoi Maait.
“Ne presim me padurim rritjen e investimeve kroate në Egjipt dhe shfrytëzimin e mundësive për zhvillim. Ftojmë investitorët dhe kompanitë kroate të interesuara të zgjerojnë investimet e tyre në Egjipt, për të përfituar nga masat stimuluese të marra nga qeveria egjiptiane në fusha të ndryshme, duke përfshirë Licencën e Artë, dokumentet e politikave të pronësisë shtetërore dhe ofertat e qeverisë”, vazhdoi ai.
“Ne po vazhdojmë të modernizojmë sistemin e taksave dhe të shfrytëzojmë sistemet moderne elektronike dhe Inteligjencën Artificiale për të përmirësuar performancën tatimore. Kjo do ta bëjë sistemin tatimor më të përparuar, tërheqës dhe të volitshëm për investimet vendase dhe të huaja”, theksoi ministri Maait.
Shkëmbimi tregtar midis Egjiptit dhe Kroacisë u dyfishua duke arritur gati gjysmë miliard dollarë, falë eksporteve egjiptiane të gazit dhe amoniakut në vitin 2022, sipas ministrit egjiptian të Punëve të Jashtme, Sameh Shoukry.