Union Bank njoftoi se ka lidhur një marrëveshje në dt. 11 dhjetor 2019 me Fondin për Garantimin e Kredive Rurale (RCGF) e cila ka për qëllim zgjerimin dhe lehtësimin e aksesit në financime për sipërmarrës dhe fermerë shqiptarë në zonat rurale. Duke përdorur avantazhet e kësaj marrëveshjeje, Union Bank synon të nxitë kredidhënien për klientet SME për financim deri në 500 mijë Euro, duke krijuar fleksibilitetin e nevojshëm në aspektin e garancisë. Nënshkrimi i këtij partneriteti u krye nga z. Gazmend Kadriu, Drejtor i Përgjithshëm i Union Bank dhe nga Z. John Khoury, Drejtor i Bordit të Fondit për Garantimin e Kredive Rurale (RCGF).
Kjo marrëveshje mundëson që klientët SME në Union Bank të kenë më shumë lehtësi në përfitimin e financimeve të nevojshme për zhvillimin dhe rritjen e biznesit të tyre.
RCGF që prej themelimit në vitin 2015 ka garantuar një numër të lartë huamarrësish dhe ka të alokuar për realizimin e instrumentit të garancisë një fond 33 milion Euro, në dispozicion të partnerëve të tij të cilëve tani iu bashkohet dhe Union Bank.
Ky bashkëpunim është në linjë dhe me strategjinë e Union Bank për tu zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme në treg duke rritur kreditimin ndaj SME-ve, në mënyrë që të plotësojë nevojat për rritje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të cilat janë dhe shtylla të rëndësishme në ekonominë e vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.