Sot,në ambientet e Ministrisë së Financave, u nënshkrua marrëveshja e Kredisë së Eksportit që do të sigurojë financimin e projektit të furnizimit me ujë të qytetit të Peshkopisë, me një vlerë prej 4 milionë euro. Pala shqiptare merr përsipër kostot lokale, kurse projekti do të dorëzohet nga austriakët krejtësisht i përfunduar, ndërtuar dhe gati për tu implementuar, ose ndryshe me “çelësa në dorë”.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, morrën pjesë Ministri i Financave, z.Shkëlqim Cani, ambasadori i Republikës së Austrisë në Tiranës, z. Thomas Schnöll, zëvendësministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z.Ylli Manjani, z. Gerd Rode, senior manager i UniCredit Bank Austria dhe prefekti i Qarkut Dibër, Melaim Damzi.
Ministri i Financave z.Shkëlqim Cani u shpreh pas nënshkrimit se marrëveshja e Kredisë së Eksportit, që u nënshkrua me Unicredit Bank Austria, mbështetet në Marrëveshjen e dytë të Bashkëpunimit financiar ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Austrisë, nëpërmjet së cilës Qeveria Austriake vë në dispozicion të Qeverisë Shqiptare kredi të buta për financimin e projekteve prioritare për zhvillimin e vendit.
Kjo marrëveshje përkon një ditë para vizitës në Tiranë të presidentit tëAustrisë, Heinz Fischer, nga ky parashikohet të zhvillohet Forumi Ekonomik mes dy vendeve.
Ndërsa ambasadori austriak në Tiranë, z. Thomas Schnöll u shpreh pas ceremonisë se: “Më lejoni të shpreh lumturinë time të madhe që bisedimet dhe negociatat me Ministrinë e Financave prodhuan një rezultat të kënaqshëm sot, duke firmosur marrëveshjen e kredisë së butë për financimin e Projektit të Furnizimit me ujë të Peshkopisë. Shpreh mirënjohjen time për mbarëvajtjen e negociatave dhe vendim-marrjes lidhur me këtë projekt dhe falenderoj Ministritë Shqipëtare të përfshira në këtë transaksion”.
Përfaqësuesi i UniCredit Bank Austria, z. Gerd Rose, u shpreh: “Së parim më lejoni t’ju shpreh gëzimin tim për arritjen e përfundimit të kësaj kontrate në ditën e sotme. Furnizimi me ujë është një nga elementet më kryesorë në zhvillimin tonë dhe të Shqipërisë, për sa i përket kredive të buta,por dhe për Agjencinë e Zhvillimit Austriak (ADA – Austrian Development Agency). Projekti i furnizimit me ujë në komunitetin tuaj është shumë i rëndësishëm edhe në kuptimin e një projekti të qëndrueshëm, e ne gjithnjë përpiqemi që të implementojmë projekte të qëndrueshme në periudhën afat-gjatë. Unë mendoj se kjo është e rëndësishme për vendin dhe ne përpiqemi gjithmonë që të jemi në linjë me standardet europiane, pasi ne duam të mbështesim vendin tuaj në rrugën drejt Bashkimit Europian. Falenderoj të gjithë pjesëmarrësit, Bankën Austria UniCredit, si dhe uroj e falënderoj dhe njëherë Ministrin”.
Prefekti i qarkut Dibër, z. Melaim Damzi falenderoi qeverinë austriake për këtë donacion dhe u shpreh se: “Kjo është një nismë për Dibrën dhe besoj se nuk do të jetë as e para dhe as e fundit, e cila do të vazhdojë të tërheqë projekte të tjera njëra pas tjetrës. Falenderoj edhe njëherë të gjithë pjesëmarrësit, faleminderit për ndihmën”.
Në periudhën 2003-2008 janë kryer rehabilitime të pjesshme në rrjetin shpërdarës të ujësjellësit të qytetit të Peshkopisë. Nëpërmjet këtij financimi synohet zgjidhja përfundimtare e furnizimit me ujë të pijshëm të zonës, si dhe sigurimi i një shërbimi të qëndrueshëm dhe financiarisht të përballueshëm për konsumatorët. Afati i zbatimit të punimeve është 18 muaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.