Lidhur me situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit në vend, Komiteti i Ekspertëve Teknik ka vendosur të shtojë masat.
“Pas masave me intensitet të moderuar, me kufizimin e lëvizjes pas orës 22:00 dhe kufizimit të aktivitetit të bareve dhe restoranteve pas orës 22 të darkës, nisur nga vlerësimi në dinamikë i situatës, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vlerësuar se është e nevojshme të ketë masa shtesë të intensitetit mesatar për të frenuar përhapjen e infeksionit.
Në mbledhjen e fundit të Komitetit Teknik i Ekspertëve, pasi kemi analizuar situatën dhe risqet, ecurinë e epidemisë në vend dhe përgjigjen e qytetarëve ndaj masave të ndërmarra, kemi vendosur:
- Të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura
- Të ndalohen mbledhjet partiake dhe tubimet
- Të ndalohen konferencat, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej atyre familjare të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë”.
Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi se situata mbetet e kontrolluar, por në një nivel risku të shtuar për arsye të rritjes së rasteve pozitive ditore, shprehur qartë me një rritje të incidencës 14 ditore në 243 raste për 100 mijë banorë.
“Numri total i rasteve aktive ka pësuar rritje në 504 për 100 mijë banorë. Numri i pacienteve në spitale ka pësuar rritje krahasuar një jave më parë.
Në tre spitalet covid janë shtruar 406 paciente. Aktualisht rreth 20-25% e kapaciteteve janë ende të lira në katër strukturat e dedikuara për trajtimin e rasteve, ndërkohë që skenarët e përfshirjes së spitaleve rajonale janë gati në momentin që do ketë ezaurim të katër spitaleve Covid.
Terapitë intensive kanë një numër të qëndrueshëm të pacienteve në kujdes intensiv. Përqindja e humbjes së jetëve në raport me numrin e të prekurve është 2,2%”.
A do të kemi një mbyllje?
“Kjo është një situatë e cila vlerësohet në dinamikën e vet. Sot që flasim opsioni i mbylljes së Shqipërisë do të ishte opsioni i fundit.
Sa i përket ecurisë së indikatorëve që masën situatën ne jemi akoma në momentin që ndërhyrjet e bëra do të na lejonin të vazhdojmë duke monitoruar javë pas jave.
Vlerësimi i mbylljes është i parashikuar, nuk është se nuk e kemi parashikuar skenarët që ne ndodhemi sot, mesa ju kujtoj kemi qenë tejet të qartë se ezaurimi i kapaciteteve spitalore është element i rëndësishëm për të konsideruar vijimësinë e masave drastike për mbylljen e lokaleve apo të përgjithshme”, iu përgjigj gazetarëve Albana Fico, Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.