Masa të jashtëzakonshme nga shtetet në botë: Nga subvencionimi i pagave, shtyrja e pagesave të taksave te nxitja e likuiditeteve përmes obligacioneve

21/03/2020 10:04 PM 0 komente

Qeveritë në mbarë globin po marrin masa të jashtëzakonshme mbështetëse për ekonomitë e paralizuara nga përpjekjet për frenimin e koronavirusit.

Masat në pjesën më të madhe synojnë subvencionimin e pagave si dhe mbështetje qeveritare, përmes injektimit të likuiditetit përmes bonove dhe obligacioneve, duke rritur borxhin e tyre publik. Bashkimi Europian ka pezulluar paktin e stabilitetit, i cili parashikonte ruajtjen e deficitit buxhetor për gjithë anëtarët në nivelet e 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), çka u jep mundësi atyre që të rrisin shpenzimet në ndihmë të ekonomive të tyre, duke pompura likuiditet në treg me synim nxitjen e konsumit. Edhe Gjermania që ka qenë më e rrepta në ruajtjen e parametrave të borxhit po tregohet tolerante tashmë që ekonomia e saj po rrezikohet seriozisht nga koronavirusi.

Pjesa më e madhe e vendeve kanë zbatuar dhe shtyrje të pagesave të taksave për bizneset.

Monitor sjell më poshtë një përmbledhje të masave që kanë marrë vendet kryesore.

 

Britania

Qeveria britanike njoftoi se do të paguajë pagat e punonjësve që nuk po punojnë për shkak të pandemisë koronavirus, në një lëvizje radikale që synon mbrojtjen e punëve të njerëzve.

Ajo do të paguajë 80% të pagës për stafin që mbahet nga punëdhënësi i tyre, duke mbuluar pagat deri në 2.500 paund në muaj, shkruan BBC.

Masa “e pashembullt” do të parandalojë pushimin e punëtorëve nga puna për shkak të krizës, tha kancelari Rishi Sunak.

Firmat kanë paralajmëruar se virusi mund t’i çojë ato drejt falimentimit, duke bërë që të shkurtojnë mijëra vende pune, teksa aktivitetet në Mbretërinë e Bashkuar janë pezull.

Sunak tha që mbyllja e pubeve dhe restoranteve do të ketë një “ndikim të rëndësishëm” tek bizneset.

Ai la të kuptohet se subvencioni i pagës do të zbatohet për firmat ku drejtuesve u është dashur të pushojnë punëtorët për shkak të koronavirusit, deri sa ata të kthehen në punë.

Në kahun tjetër, Banka e Anglisë do të ofrojë të blejë 14.1 miliardë paund (16.6 miliardë dollarë) obligacione qeveritare javën e ardhshme, këto janë blerjet më të shpejta të aseteve në historinë e saj, për të kufizuar ndikimin e koronavirusit në ekonomi dhe në tregje.

Të premten, Banka Qendrore e Anglisë bleu 5.1 miliardë paund letra me vlerë. Ky është hapi i parë i planit të blerjes së aseteve prej 200 miliardë paundësh, dhe do të blejë të njëjtën shumë përsëri të hënën.

Në secilën ditë, të martë, të mërkurë dhe të enjten do të blejë 3 miliardë paund letra me vlerë. Blerjet do të ndahen në mënyrë të barabartë në të gjitha shportat e letrave me vlerë me maturim 3-7 vjet, 7-20 vjet dhe më shumë se 20 vjet, shkruan Reuters.

Kancelari tha se masa do të thotë se punëtorët duhet të jenë në gjendje të mbajnë punën e tyre, edhe nëse punëdhënësi nuk mund t’i paguajë dot ata.

Ai tha se këto ndërhyrje ishin “masa të pashembullta për kohëra të pazakonta”.

“E di që njerëzit janë të shqetësuar se mos humbasin vendin e punës dhe se nuk do të jenë në gjendje të paguajnë dot qiranë ose hipotekën, se nuk do të kenë rezerva të mjaftueshme parash për ushqim dhe pagesën e faturave… të gjithë atyre që tani janë në shtëpi, në një gjendje ankthi për ditët në vazhdim, u them këto fjalë: nuk do të përballeni të vetëm me këtë situatë”, shtoi zoti Sunak.

Mbulimi i pagave, i cili ka të bëjë me pagën bruto, do të nisë në fillim të marsit dhe do të zgjasë për tre muaj, por zoti Sunak tha se do ta zgjasë planin për më gjatë “nëse do të jetë e nevojshme”.

Plani, që drejtohet nga HMRC-ja, pritet të ofrojë grantet e para për bizneset “brenda disa javësh”, tha një zëdhënëse e Departamentit të Thesarit.

 

Italia

Italia ka zgjeruar masat stimuluese në përgjigje të pasojave që po shkakton tek bizneset dhe familjet pezullimi i aktiviteteve për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Të gjitha pagesat e taksave dhe kontributet që duhet të bëheshin në 16 mars janë ngrirë të paktën për një javë për emergjencën e koronavirusit, shkruajnë mediat italiane. Po shqyrtohet dhe një zgjatje e pagesave të TVSH-së. Këto shtyrje po bëhen me qëllim që tu lihen bizneseve likuiditetet e nevojshme për të përballuar situatën.

Në dekretin e ri anti-koronavirus parashikohen dhe lehtësi tatimore për dhurime në favor të urgjencës shëndetësore dhe lehtësi për persona të vetëpunësuar që kryejnë biznesin e tyre me qira.

Kapitulli tjetër është ai i mbështetjes së të ardhurave, sipas sistemit Cigs (Fondi i Garancisë së Pagave të Jashtme: një kompensim për të plotësuar shpërblimin e punëtorëve të kompanive që përballen me situata krizash dhe riorganizimi ose kontrata solidariteti të tipit A)  për të gjithë sektorët në vështirësi dhe për të gjithë territorin kombëtar. Ky kapitull mund të kërkojë shpenzimin e 5 miliardë eurove nga nga 15-16 miliardë euro që Qeveria synon të shpenzojë për të mbështetur punëtorët dhe bizneset, të vogla dhe të mëdha.

Për familjet, parashikohet pushimi familjar për punëtorët që kanë fëmijë në shtëpi dhe, në të kundërt, një kupon për të shlyer shpenzimet e bëra për pagesën e mbajtjes së fëmijëve. Ekzistojnë gjithashtu masa të dakorduara me botën bankare, Bankën e Italisë për një moratorium të përgjithësuar, por gjithmonë sipas kërkesës, për pagesën e kredive për shtëpi dhe huave të tjera.

Për kompanitë e mëdha, mbi një limit të ardhurash të caktuar, do të lihet një javë kohë për kryerjen e pagesave. Për ndërmarrjet e tjera nën një kufi (që mendohet të jetë një ose dy milionë euro të ardhura vjetore), pagesat që duheshin kryer në 16 mars do të shtyhen të paktën me dy muaj.

 

Paketa 500 miliardë euro anti-covid e Gjermanisë anticovd

Kabineti i Angela Merkel do mblidhet të hënën për të aprovuar një kredi të re prej 356 miliardë eurosh, e barabartë me gati 10 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të Gjermanisë. Kjo masë për Gjermaninë shënon një revolucion fiskal, teksa vendi kishte ndjekur një politikë shtrënguese për borxhin prej vitesh.

Gjermania do të marrë mbi 150 miliardë euro borxh të ri si pjesë e një pakete gjithëpërfshirëse të masave emergjente për të shpëtuar ekonominë e saj nga efektet brutale të pandemisë koronavirus.

Ministri i Financave Olaf Scholz gjithashtu do t’i prezantojë kabinetit gjerman planet për të krijuar një fond të ri shpëtimi  prej 500 miliardë  eurosh për kompanitë e goditur nga shpërthimi, shkruan Financial Times.

Masat shënojnë një epokë të re në politikën fiskale gjermane dhe një largim të papritur nga angazhimi i mbajtur për një kohë të gjatë buxhetit e balancuar, që ka qenë një tipar i tillë i qëndrueshëm i kohës së Angela Merkel në zyrë.

Plani i ri pasqyron alarmin në rritje në qarqet qeveritare mbi ndikimin e thellë që ka pasur epidemia në ekonominë më të madhe të eurozonës, pasi ndërmarrjet e mëdha industriale po mbyllin fabrika dhe sektori i shërbimeve është me aftësi të kufizuara.

Plani i shpëtimit 500 miliardë euro do të përbëhet nga 156 miliardë euro shtesë në buxhetin e vitit 2020. Gjithashtu një një fond i ri i stabilizimit ekonomik 100 miliardë euro, që njihet në gjermanisht si WSF, që mund të marrë aksione direkte në kompanitë e goditura. Paketa totale rreth 400 miliardë euro i ka garanci për të nënshkruar borxhet e kompanive të prekura nga trazirat.

Ministri i Gjerman i Financave, Scholz parashikon një kredi qeveritare prej 100 miliardë eurosh për KfW, Banka Shtetërore e Zhvillimit, e cila është autorizuar të sigurojë fonde për bizneset që luftojnë me pasojat nga pandemia.

WSF jo vetëm që do të nënshkruajë borxhet e kompanive, por gjithashtu do të rikapitalizojë ata që kanë vështirësi financiare për shkak të trazirave koronavirus, duke i hapur në mënyrë efektive.

Ashtu siç qeveria i ndihmoi bankat pas rënies së Lehman Brothers, “ne tani jemi të përgatitur të sigurojmë drejtësi për ekonominë e vërtetë,” i tha Z. Scholz të Premten. Në 2008 shteti duhej të ndihmonte kompanitë “që punësojnë një numër të jashtëzakonshëm burrash dhe grash dhe që krejt papritur nuk kanë biznes”.

Edhe para goditjes së pandemisë koronavirus, varësia e Gjermanisë ndaj shmangies së borxhit ishte përballur me kritika të mëdha. Për muaj të tërë, ekonomistët kryesorë, brenda dhe jashtë vendit, po i kërkojnë qeverisë të përfitojë nga normat e ulëta të interesit për të marrë një borxh të ri dhe të investojnë në infrastrukturën e shkatërruar të Gjermanisë.

 

SHBA

Edhe qeveria amerikane ka ndërmarrë një sërë masash nxitëse të guximshme për të shëruar ekonominë e sëmurë nga shpërthimi i koronavirusit.

Presidenti Donald Trump ka autorizuar shtyrjen e 300 miliardë dollarëve në pagesa tek IRS (shërbimi i të ardhurave të Shteteve të Bashkuara). Mnuchin tha se nëse individët  detyrohen një pagesë, ata mund të shtyjnë deri në 1 milion dollarë, dhe korporatat mund të shtyjnë deri në 10 milione dollarë. Shtyrjet do të jenë pa gjoba për 90 ditë pasi SHBA-ja po përpiqet të përballojë krizën e koronavirusit.

Një tjetër masë e propozuar sipas mediave të huaja, është dërgimi i çeqeve tek amerikanët brenda dy javësh, si pjesë e një pakete të re nxitëse që synon të kufizojë dëmet që po i shkaktohen ekonomisë nga shpërthimi i koronavirusit.

Paketa nxitëse pritet të arrijë në 850 miliardë dollarë për të mbështetur ekonominë.

Paketa do të përfshijë 50 miliardë dollarë për linjat ajrore – të goditura rëndë nga pandemia – dhe 250 miliardë dollarë për kredi për biznesin e vogël.

Trump tha se administrata e tij po merrte në konsideratë nëse do të dërgonte çeqe për individët amerikanë me vlerë  prej 1.000 dollarë për t’i ndihmuar ata të përballeshin me  krizën, megjithëse ai tha se detajet po përpunoheshin.

 

Banka Qendrore Europiane hap rubinetin

750 miliardë euro është paketa e emergjencës që ka prezantuar Banka Qendrore Europiane (ECB) për të qetësuar tregjet dhe për të ndihmuar ekonominë e Eurozonës gjatë pandemisë së koronavirusit.

Sipas paketës së emergjencës, Banka do të blejë borxhin e qeverive dhe kompanive në të gjithë Eurozonën, përfshirë edhe Greqinë dhe Italinë për të frenuar ndikimin e virusit në ekonomi.

“Kohët e jashtëzakonshme kërkojnë veprime të jashtëzakonshme. Nuk ka kufij në angazhimin tonë ndaj euros. Ne jemi të vendosur të përdorim potencialin e plotë të mjeteve tona, brenda mandatit tonë”, tha presidentja e BQE, Christine Lagarde.

 

Rajoni

Masa mbështetëse po marrin dhe shtete të rajonit. Kroacia ka vendosur një shtyrje prej 90 ditësh të pagesave të tatimit mbi të ardhurat si dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Një tjetër masë është subvencionimi i pagave në shumën e pagës minimale (rreth 430 EUR), për kompanitë që nuk shkurtojnë forcën e punës.

Në Bullgari, qeveria deklaroi se planifikon masa për të mbështetur punësimin duke mundësuar pagimin e 60% të pagave të punëtorëve që rrezikojnë pushimin nga puna, për shkak të ndikimit të pandemisë së koronavirusit në biznese. Qeveria është zotuar për të mundësuar këtë ndihmë nëse punëdhënësit vendosin t’i mbajnë këta punëtorë në vend që t’i pushojnë nga puna. Mbështetja do të ofrohet për një periudhë tremujore, duke mbuluar 60% të kostove të punës të bizneseve të prekura. Qeveria planifikon të rrisë kapitalin e Bankës Bullgare të Zhvillimit me 500 milionë lev (280,6 milionë dollarë / 255.6 milionë euro), në mënyrë që të mbështesë bizneset e prekura nga pandemia e koronavirusit.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of