Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për kategorizimin e ri të komunave sipas zonave. Në zonën e kuqe tani janë: Prishtina, Fushë-Kosova, Zveqani dhe Suhareka.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë kategorizimin e ri të komunave sipas zonave, bazuar në numrin e rasteve brenda një jave në 100 mijë banorë.
Sipas MSH-së në zonën e kuqe vazhdojnë të jenë Prishtina dhe Fushë-Kosova si dhe këtë javë hyjnë edhe Suhareka dhe Zveçani.
Në këto komuna, lëvizja e qytetarëve është e lejuar deri në orën 21:30, ndërsa ndërprerja e lëvizjes zgjat deri në 05:00.
Në zonën e verdhë janë 10 komuna: Podujeva, Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut, Lipjani, Obiliqi, Vushtrria, Prizreni, Peja, Gjakova dhe Ferizaj.
Ndërkaq në zonën e gjelbër për këtë javë janë 24 komuna: Gjilani, Deçani, Vitia, Klina, Rahoveci, Dragashi, Drenasi, Istogu, Malisheva, Kamenica, Juniku, Skenderaji, Leposaviqi, Kaçaniku, Kllokoti, Zubin Potoku, Mamusha, Novobërda, Hani i Elezit, Parteshi, Ranillugu, Shtërpca, Graçanica dhe Shtimja.
Në këto komuna, operatorët ekonomikë e kanë të lejuar operimin deri në orën 22:00, ndërsa pas saj shërbimin me vete. Nuk do të ketë pengesë për lëvizjen e qytetarëve.
Në zonë të kuqe futen komunat që kanë mbi 150 raste me COVID-19 në 100.000 banorë brenda shtatë ditëve, në zonë të verdhë komunat në 76 deri në 150 raste me COVID, ndërsa në atë të gjelbër futen komunat që kanë deri në 75 raste.
Kurse, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) njoftoi të premten se pesë persona kanë vdekur dhe janë regjistruar 284 raste të reja me koronavirus.
Rastet e reja me COVID-19 dalin pas testimit të 1.951 mostrave në laboratorët e IKSHPK-së dhe në ato private.
Në 24 orët e fundit, sipas raportit ditor të IKSHPK-së, nga COVID-19 janë shëruar edhe 224 persona. Që prej 13 marsit, 2020 e deri më 5 shkurt, 2021, në Kosovë janë regjistruar 61.688 raste pozitive me COVID-19.
Prej tyre, 1.519 pacientë kanë vdekur dhe 53.455 janë shëruar. Raste aktive janë 6.714.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.