Masat kufizuese të vendosura nga shtete të ndryshme për shkak të pandemisë së COVID-19 kanë ndryshuar tendencat e udhëtimit të pasagjerëve në llojin e transportit të përzgjedhur.
Për herë të parë, transporti ajror është mbizotëruar për numrin e pasagjerëve duke zënë mbi 72% të totalit. Kjo lidhet me pamundësinë për të udhëtuar në rrugë tokësore. Ndërkohë tkurrje ka pësuar edhe transporti detar. INSTAT raportoi se në Janar 2021, numri i fluturimeve të kryera është 1.038 duke shënuar një rënie me 49,9%, në krahasim me Janar 2020.
“Në muajin Janar 2021, transporti ajror i pasagjerëve zë 72,4% të transportit gjithsej. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në Janar 2021 është 87.231 pasagjerë duke u ulur me 64,5%, krahasuar me Janar 2020. Në Janar 2021, numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare është 32.977 pasagjerë. Krahasuar me Janar 2020, ky tregues është ulur 52,8%” thuhet në njoftim.
Volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte sipas INSTAT, në muajin Janar 2021 është 366 mijë ton, duke u rritur 11,0%, krahasuar me Janar 2020. Në muajin Janar 2021, volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 2.672 mijë ton-kilometër, duke u ulur me 13,6%, krahasuar me Janar 2020. Në muajin Janar 2021, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 148,8 ton, duke u ulur me 15,9%, në krahasim me Janar 2020.
Eksportet/importet e mallrave sipas mënyrës së transportit
“Në Janar 2021, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) është 69,2 mld lekë dhe 54,0% e tyre u transportua me det.
Mallrat e eksportuara me det zënë 64,6%, me rrugë 33,2% dhe me ajër 0,2%. Mallrat e eksportuara me rrugë në Janar 2021 janë ulur me 0,5%, krahasuar me Janar 2020.
Në Janar 2021, mallrat e importuara me det zënë 48,5%, me rrugë 41,6% dhe me ajër 2,9%. Mallrat e importuara me rrugë në Janar 2021 janë rritur me 8,3%, krahasuar me Janar 2020” vlerëson INSTAT.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.