Unioni Turistik Shqiptar i ka kërkuar qeverisë që të rishikojë masat kufizuese pasi po bëhen pengesë për mbarëvajtjen e sezonit veror.
Në një letër dërguar autoriteteve dhe konkretisht Ministrisë së Shëndetësisë kërkohet që të zgjerohet fasha orare e lejimit të qarkullimit dhe muzikës dhe lejimi i eventeve me më shumë se 50 persona.
“Ne përfaqësuesit e sipërmarrjeve private, nen grupimin e Unionit Turistik Shqiptar, shoqata më e madhe e industrisë së turizmit, e cila që nga viti 2005 e në vazhdim përfaqëson mbi 250 subjekte, Operatore Turistik, Hotele, Agjenci Udhëtimi, Guida, Restorante, Transport turistik, etj, nëpërmjet kësaj letre duam të ju shprehim shqetësimin tonë, i cili ka të bëjë me disa barriera që po bëhen pengesë për mbarëvajtjen e sezonit, siç janë; mbajtja në fuqi e orës policore, nga 23:00 deri në orën 6:00, mos lejimi i muzikës në lokale pas orës 22:00 dhe mos lejimi i eventeve mbi 50 persona”, thuhet në shkresën e Unionit.
Kufizimi i fashës orare për muzikën dhe daljen sidomos janë bërë shkak për pakënaqësi për turistët të cilët janë të detyruar të mbyllen në dhoma.
”Për shkak të moslejimit të muzikës pas orës 22:00 kemi marrë shumë ankesa nga turistet të cilët janë të pakënaqur ngaqë nuk kanë ardhur për t’u mbyllur në dhomë, po për të pushuar dhe për t’u argëtuar, me qëllim që turistët të marrin kënaqësinë e pushimeve, sugjerojmë që ky orar të zgjatet deri në orën 24:00 në mënyrë që të mos u shkaktohet mërzitje turistëve, pasi ora 22:00 nuk mjafton duke pasur parasysh faktin që gjatë periudhës së verës kjo orë është koha që errësohet dhe gjatë ditës njerëzit janë në punë dhe darkat ngelën më të frekuentuara nga qytetarët, nënvizon Unioni.
Një tjetër element që operatorët sjellin në vëmendje është ajo për transfertat që bëhen nga aeroporti ne hotele apo anasjelltas që janë jashtë orës së lëvizjes së lire.
“Për shkak të kufizimit të lëvizjes nga mesnata deri në orën 6 të mëngjesit po krijohen pengesa në mundësimin e shërbimeve të partnereve ndërkombëtare të cilët operojnë me fluturime charter në aeroportin e Rinasit, pasi një numër i këtyre charterave mbërrijnë pas orës 12:00 të natës dhe sipas marrëveshjeve, të gjithë turistet duhet që të priten në aeroport nga delegatët e autorizuar prej tyre, të cilët janë shtetas të origjinës së turistëve, që presin, orientojnë dhe ju japin kontaktet turistëve të tyre për problemet që mund të kenë gjatë qëndrimit në Shqipëri, këto persona udhëtojnë me makina që marrin me qira nga aeroporti dhe për në aeroport dhe rregullisht ndalohen nga policia e cila në mjaft raste i ka penalizuar”, theksojnë operatorët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.