Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të mashtrojnë me kilometrat e kaluara të veturave të tyre, në atë mënyrë që t’i ikin pagesave më të larta në doganë. Për këtë, Dogana e Kosovës ka lëshuar sot një komunikatë, nga ku ka bërë të ditur se do të aplikohen gjoba financiare ndaj atyre personave që ia rrisin kilometrat veturave të tyre.
“Dogana e Kosovës informon të gjithë qytetarët se është duke hasur në raste kur kilometrat e veturave të përdorura rriten me qëllim të tentimit të pagesës më të ulët. Kodi doganor i Kosovës neni 276 pika për shkak të shmangieve në detyrimet doganore aplikon gjoba financiare ndaj personave që i kane paraqitur për zhdoganim veturat”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Dogana ka treguar se ditëve të fundit ka identifikuar tetë raste te mashtrimit me kilometra, ku edhe janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 5 eurove.
“Gjatë javës së kaluar si dhe gjatë kësaj jave (26.08.2019 deri 04.09.2019) ka identifikuar 8 raste të veturave (që të gjitha janë penalizuar me rreth 5,000€ gjoba), te cilat jen paraqitur për zhdoganim, ku pas verifikimit te kilometrave, janë identifikuar se kemi te bëjmë me mashtrim në kilometra (kanë deklaruar me shume kilometra se sa qe realisht i ka vetura)”.
Dogana e Kosovës thotë se do të vazhdojë drejt misionit të vetë , zbatimit të ligjit në fushë veprimtarinë përkatëse.
“Dogana e Kosovës-Sektorët përkatës do te vazhdojnë të bëjnë verifikimin e kilometrazheve të kaluara të veturave qe do te zhdoganohen prandaj i bëjmë apel te gjithë qytetareve, që mos të bien pre e personave te pa ndërgjegjshëm, te cilët munden edhe ti ofrojnë ofertat për manipulime të kilometrazhit te veturës, me qellim shmangieje nga detyrimet doganore sepse gjobat dhe taksat doganore prape do ti paguan qytetari që e zhdoganon veturën”.
/Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.