Jemi mësuar, prej vitesh tashmë, të ndjekim shfaqjet që jep qeveria, në vend të punëve që realizon apo funksioneve që ka për të kryer, për të cilat, në fakt e ka mandatuar sovrani dhe që e ka për detyrë, pasi paguhet për to nga taksat e të gjithëve.
Në vitin 2015, bizneset u vendosën përballë një presioni të jashtëzakonshëm deri në terror, në kuadër të aksionit anti-informalitet. Gjoba të shumëfishuara, kërcënime me burg, subjekte të bëra shembull për një kupon tatimor. Shfaqjet e përditshme se po bëhet shtet nuk munguan. Ambienti për të bërë biznes u vështirësua, indekset e besimit te shoqatat e investitorëve të huaj prekën fundin, sipërmarrësit e huaj shfaqën sinjale largimi. Për më tepër, rezultati i shënuar ishte: të ardhurat në buxhet nuk shënuan rritje, mijëra biznese të vogla nuk e përballuan presionin dhe dolën nga tregu.
Informaliteti vijoi të mbetej në nivelet e 30-40% të totalit të ekonomisë, sipas vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare. Të ardhurat kanë ngecur në nivelin e 27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), më të ulëtat në rajon, pavarësisht se barra e taksave është më e larta, në rreth 34% të fitimeve, sipas të dhënave të Bankës Botërore në raportin “Të bësh biznes”. Në nivele të ngjashme, barrë fiskale është Serbia, por mbledh 40% të PBB-së, gati dyfishin tonë!
Pas votimeve të shumëpërfolura të këtij viti, aksioni nisi sërish. Ndonëse disa mësime ishin nxjerrë nga i mëparshmi (nuk ishte fokusi te biznesi i vogël, nuk u shoqërua me shumëfishim gjobash e kërcënime me burg, u zbatua moduli i riskut për sektorët me evazion të lartë), “show” sërish dominoi. Shfaqjet e shiritave, që kishin bllokuar aktivitetin e hoteleve në kulm të sezonit për mosdhënie kuponi, ishin pothuajse të përditshme dhe zinin një kohë të konsiderueshme në edicionet e lajmeve të televizioneve.
Kompanitë u bënë shembull për punonjësit e pasiguruar, apo për shkeljen e të drejtave të tyre. Përpjekja ishte e madhe për të treguar se nuk po kurseheshin as të mëdhenjtë dhe as ata që janë etiketuar si miqtë e qeveritarëve. Por, u deshën dy raste spontane, të shkëputura nga njëri-tjetri, njëri fatkeqësisht tragjedi, për të çjerrë shumë shpejt maskën e kësaj shfaqjeje me një skenar aq të dobët, që nuk arrin t’i mbushë mendjen as fëmijëve.
I pari ishte “filmi aksion” i Mihalit, pronarit të restorantit në Jug, i cili u bë i famshëm për ndjekjen ndaj turistëve spanjollë jo vetëm në vend, por dhe jashtë tij. Dhe nuk e kemi aspak fjalën për temperamentin e Mihalit, për të cilin nuk mund të bëhen përgjithësime. Por, kjo ngjarje tregoi se Mihali, në kulmin e aksionit anti-informalitet dhe të shfaqjeve të përditshme të mbylljes së aktivitetit për një kupon, nuk e kishte problem që të vepronte jo pa dhënë kupon, por pa asnjë lloj dokumenti (dhe vetëm pasi rasti u bë publik, institucionet u detyruan të prishnin lokalin, por dhe në këtë rast nuk u harrua të ftoheshin televizionet të transmetonin live këtë show!).
Mihali është, në fakt, përfaqësuesi i atyre sipërmarrjeve që nuk e kanë problem të shkelin ligjet, nuk e kanë problem të bëjnë evazion, nuk tremben nga pasthirrmat e kryeministrit se po bëjmë shtet dhe askush nuk i shpëton ligjit, sepse e kanë kuptuar që, në fakt, thelbi nuk është te shteti, por te dukja, së cilës ia gjejnë zgjidhjen shpejt.
Rasti i dytë ishte ai i vdekjes së dy punëtorëve që po punonin në një skelë, i cili kaloi pa shumë zhurmë e bujë. Institucionet përgjegjëse mbikëqyrëse u justifikuan me mungesën e kapaciteteve për kontrolle, por, në fakt, thelbi sërish qëndron te fakti se kompanitë guxojnë të shkelin rregullat e sigurimit, sepse e dinë që nuk u hyn ferra në këmbë.
Sepse modeli i të bërit shtet ka qenë thjesht një show, që nuk tremb më asnjë (kuptohet të mëdhenjtë se të vegjlit gjithnjë do të jenë viktima). Ky model është shtrirë tashmë kudo, që te fasadat, ndërtimet e pafund në një vend ku njerëzit po ikin, koncesionet e fryra që nuk i sjellin asgjë apo shumë pak ekonomisë, shërbimin spitalor e deri në shërbimet e përditshme që u ofrohen qytetarëve. Për sa kohë që show do të mbizotërojë mbi thelbin, asgjë e mirë nuk pritet t’i vijë ekonomisë së vendit dhe, aq më pak, qytetarëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.