Maturimi i mikrofinancës, koha për një ligj?

11/06/2019 1:22 PM 0 komente

Institucionet financiare jobankare raportuan një rezultat financiar pozitiv rreth 1 miliard lekë në vitin 2018. Teksa zgjerimi me institucione të reja vit pas viti dhe rritja me ritme të shpejta kanë qenë e dukshme vitet e fundit, institucionet e mikrofinancës po lobojnë fort për një ligj të posaçëm. Ata shprehen se tregu është maturuar për të kaluar në një tjetër stad. Duke e cilësuar këtë sfidën parësore, mikrofinanca po kërkon të zgjerojë gamën e shërbimeve që ofron në degët e saj, duke marrë në konsideratë edhe mbledhjen e depozitave si një mënyrë për të ulur koston e financimit. Përtej disa ngërçeve, tregu i mikrofinancës pret që edhe 2019 të jetë një vit me rritje të mirë, falë kërkesës aktive nga bizneset e vogla dhe të mesme për kapital qarkullues.

 

Nga Nertila Maho

Vitet elektorale, të njohur si vite “anemikë” në investime, për shkak të pasigurisë që shoqëron bizneset, duket se nuk e kanë prekur mikrofinancën. Aktorët e tregut raportojnë se viti 2019 ka shfaqur një tendencë pozitive, çka pritet të finalizohet me një rritje të portofolit të kredisë dhe numrit të klientëve të financuar. Nga viti në vit, sektori po raporton njëkohësisht rritje dhe zgjerim, ku numri i institucioneve financiare jo banka të licencuara dhe të mbikëqyrura nga banka qendrore është shtuar.

Në Raportin e fundit të Stabilitetit, Banka e Shqipërisë citon se deri në fund të tremujorit të tretë të vitit 2018, në sistemin financiar kanë operuar 30 institucione financiare jo banka (IFJB) të angazhuara kryesisht në fushën e mikrokredisë, kreditimit, leasing-ut, faktoring-ut, parasë elektronike. “Peshën kryesore e zënë IFJB-të që kryejnë aktivitet kreditues, ndjekur nga ato që kryejnë pagesa dhe transferta. Aktivet e IFJB-ve arrijnë në rreth 50 miliardë lekë. Kjo vlerë ishte rreth 4% më shumë se totali i aktiveve të raportuara në fund të gjashtëmujorit të parë dhe rreth 10% më shumë në krahasim me nivelin e një viti më parë. IFJB-të kanë raportuar një rezultat financiar pozitiv (rreth 1 miliard lekë) dhe disi më të lartë në krahasim me një vit më parë. Kapitalizimi i veprimtarisë së këtyre subjekteve vijon të mbetet në nivele të kënaqshme”, – thuhet në raportin e Bankës.

 

Si u mbyll viti 2018 dhe pritshmëritë optimiste për vitin 2019

Institucionet financiare jo banka, të fokusuara te mikrofinanca, raportojnë se 2018 ishte një vit pozitiv, ku kërkesa për financim ka mbetur aktive. Altin Muça, Drejtor i Departamentit të Marketingut & Zhvillimit pranë Fondit Besa, shprehet se shoqëria ka pasur një rritje dyshifrore vitin e shkuar, që ka ardhur si rrjedhojë e disa faktorëve. “E kemi mbyllur vitin 2018 me rreth 33 mijë klientë aktivë dhe me një tepricë kredie rreth 10.5 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë, pra me vitin 2017, kemi pasur një rritje të portofolit të kredisë me rreth 21%.

Sigurisht që rritja e aktivitetit gjatë vitit 2018 është bazuar në konsolidimin e aktivitetit tonë, përmes mbulimit të gjerë të gjithë nicheve apo segmenteve të tregut të kredive mikro dhe të vogla ku ne operojmë, nëpërmjet rritjes së produktivitetit, pra të ngarkesës së oficerëve të kredisë. Kjo është mbështetur edhe nga një kërkesë relativisht më e lartë e bizneseve mikro dhe të vogla për kredi gjatë vitit 2018”, shprehet ai.

Edhe Herjola Spahiu, Drejtore e Përgjithshme e NOA, konfirmon një rritje dyshifrore për vitin e shkuar, ndërkohë pritet që ecuria e mikrofinancës në tërësi të jetë e mirë edhe për vitin aktual. “Ne si NOA kemi arritur të realizojmë për 2018 një rritje me 14% të portofolit të kredisë dhe sigurisht kemi ruajtur dhe stabilitetin në numër klientësh, edhe pse u kemi shërbyer 7 mijë klientëve të rinj. Kemi injektuar diku tek 3.4 miliardë lekë të reja në ekonominë shqiptare në 2018. Nga dhjetori 2018 deri tani, jemi rritur me 3.7% në portofolin tonë që, e llogaritur deri në fund të vitit, me të njëjtin trend, besojmë se do të jemi sërish në të njëjtat ritme 17-18%”, – thekson Spahiu.

Emin Barçi nga Agrocredit (ish-FAF që zotërohet nga qeveria) shprehet se planet janë për zgjerim të aktivitetit në tre vitet e ardhshme, e nxitur kjo nga zhvillimet dinamike në sektor. “Përvoja na ka krijuar bindjen që, të paktën deri në fund të vitit 2021, ne do të shohim mundësinë që mund të financojmë 8-9 mijë subjekte të tjera, të cilët kryejnë sipërmarrje në zonat rurale suburbane dhe kryejnë aktivitete në fushën e bujqësisë, blegtorisë, të procesimit të produkteve, agroturizëm, turizëm, peshkim. Ne besojmë se mund të disbursojmë edhe 25 milionë euro në tre vitet e ardhshme në financimin e zhvillimit rural dhe agroturizmit në Shqipëri”, – shprehet Barçi.

Edhe institucionet financiare jo banka, që ofrojnë kredinë e shpejtë konsumatore, duket se po përjetojnë rritjen e nxitur nga burokracia më e pakët në miratimin e fondeve, por e shoqëruar edhe me më shumë dhimbje koke në arkëtimin e tyre. “Ecuria e tregut të mikrofinancës ka qenë pozitive. Portofoli i kredisë është rritur falë numrit të klientëve të rinj, por edhe konsolidimit të marrëdhënies me klientët ekzistues. Ne kemi hapur 7 degë të reja gjatë kësaj periudhe, duke përmendur këtu degë në Shkodër, Vlorë, Korçë, Berat dhe në Tiranë”, – shprehet Akan Ajdini nga IuteCredit.

 

A ka ardhur koha për një ligj që të rregullojë mikrofinancën?

Nën shembullin që u ndoq për shoqëritë e Kursim-Kreditit që tashmë operojnë sipas një ligji të dedikuar, mikrofinanca sot mendon se janë pjekur kushtet për të kaluar në një stad me një ligj të posaçëm edhe për to. Përfaqësuesit e shoqërive kryesore të mikrofinancës nënvizojnë se tregu është maturuar mjaftueshëm që nga viti 1994, kur shënohen fillesat e para për t’u rregulluar me një kuadër të ri ligjor. Aktualisht, aktiviteti i këtyre institucioneve rregullohet me një rregullore të Bankës së Shqipërisë.

“Mendoj që po vjen koha dhe po piqen kushtet që këto institucione me rritjen e aktivitetit, madhësisë, praninë dhe profesionalizmit është e domosdoshme që të kalohet në një status tjetër juridik të tyre. Flasim për status juridik, në aspektin rregullativ të Bankës së Shqipërisë. Për institucionet financiare jo banka të mendohet për të shtuar ligjin për institucionet e mikrofinancës, banka të specializuara apo banka mikrofinanciare. Tregu është maturuar dhe përvoja e institucioneve është e mjaftueshme për të krijuar një ligj për mikrofinancën. Ka modele të suksesshme në vende të tjera që mund të adoptohen me kushtet e Shqipërisë”, shprehet Muça.

Të njëjtën gjë nënvizon edhe Spahiu nga NOA, e cila shton se ligji i ri duhet të shtojë numrin e shërbimeve që ofrohen nga shoqëritë e mikrofinancës në degët e tyre, si një mënyrë për të kursyer kohë ndaj qytetarëve. Sipas saj duhet të shihet me kujdes edhe pjesa që lidhet me dhënien e mundësisë për këto institucione që të grumbullojnë depozita të vogla. Kjo do të reflektohej edhe në një kosto financimi disi më të ulët. “Sot, vetë raportet e kredisë mbi depozitat janë 50%, pra ka 50% likuiditet ende të pashfrytëzuar. Ne kemi shumë mundësi që këtë likuiditet ta shfrytëzojmë për aktivitetin tonë të kredidhënies, me qëllim të dyfishtë. E para, përfitimet nga ky aktivitet u shkojnë familjeve apo bizneseve shqiptare. Interesi paguhet në tregun shqiptar dhe redukton me 70% koston aktuale të fondeve, e cila shkon për një kredi më të lirë”, shprehet Spahiu.

 

Mikrofinanca kërkon më shumë përfshirje në projektet e qeverisë

Nisma “100 Fshatrat” e ndërmarrë nga qeveria vitin e shkuar ka gjallëruar interesin e zonave rurale për t’u drejtuar pranë institucioneve të mikrofinancës për të parë mundësitë që kanë. Emin Barçi, nga Agrocredit, shprehet se projekti është ende i paformësuar në total, por ka nxitur kërkesën. “Ndikimi më interesant në ‘100 fshatrat’ është ai psikologjik. Banorët dhe sipërmarrjet e këtyre zonave janë bërë më të guximshëm për të investuar, duke nxituar të shohim mundësitë që kanë, të kërkojnë grante dhe financim.

Është në proces si projekt, nuk mund të thuash që ka një gjë përfundimtare dhe është relativisht i vështirë, sepse koordinimi i të gjithë faktorëve, aktorëve publikë dhe privatë kërkon kohë. Efektin e vet, megjithatë e ka dhënë, sepse Agrocredit ka 30 zyra në të gjithë Shqipërinë dhe kudo ku ka fshatra të kësaj liste, ka interes në zyrat tona për të parë mundësinë sesi financohen”, shprehet Barçi. Nga ana tjetër, mikrofinanca kërkon që qeveria të bashkëpunojë më nga afër me këtë sektor, kur bëhet fjalë për projekte që prekin zonat rurale apo sektorë të veçantë. Diskutimi në fazat e para mund të japë një produkt dhe një zgjidhje me më shumë ndikim social dhe ekonomik.

“Mikrofinanca duhet parë si partner. Nuk mund të ekzistojnë projekte për turizmin apo bujqësinë, nëse nuk sheh mikrofinancën si partnere. Sjell në vëmendje projekte të rëndësishme si ‘100 fshatrat’. Ti investon në infrastrukturë por, nga ana tjetër, të gjithë ato biznese aty kanë nevojë që të rimëkëmbin pak veten për t’ju përgjigjur nivelit të ri”, shprehet Spahiu.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of