Buxheti i shtetit ka nisur të ndjejë dobësitë e financimeve nga fondet e huaja, teksa marrëveshja trevjeçare me Fondin Ndërkombëtar është drejt fundit dhe ajo me Bankën Botërore e ka kaluar kulmin e mbështetjes buxhetore vitin e kaluar.
Vitin e kaluar teksa qeveria shfaqi dobësi në grumbullimin të ardhurave tatimore, burimi i huaj i financimit qe një faktor kyç për të mbajtur deficitin nën kontroll. Të ardhurat nga ky zë ishin mbi 11 miliardë lekë, vlerë kjo më e larta e 15 viteve të fundit.
Edhe në muajt e parë të vitit ky zë ka pasur ecuri të kënaqshme, por në tre muajt rritja të ardhurave nga jashtë është frenuar. Marrëveshja me Fondin Ndërkombëtar Ndërkombëtar është duke konsumuar katër muajt e mbetur e për pasojë rreth 100 milionë eurot në vit që u arkëtuan në këto tre vitet e fundit si rrjedhojë e kësaj marrëveshje nuk do të vijojnë vitin që vjen. Gjithashtu angazhimet e reja financiare të Bankës Botërore këtë vit ishin vetëm 32 milionë dollarë nga 522 milionë dollarë që ishin vitin e kaluar.
Pas zgjedhjeve të vitit 2013, institucionet financiare ndërkombëtarë nisën një bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e re shqiptare duke i shoqëruar ato me paketa shtesë financimi. Banka e Botërore për herë të parë u bë bashkëfinancuese e buxhetit bashkë me FMN.
Në fund pranverë të vitit që vjen marrëveshja e detyruese me FMN përfundon teksa Ministri i Financave ka lajmëruar një marrëveshje të re, po më liberale se e tanishmja, e cila sigurisht që do të shoqërohet me një paketë më të ulët financimi.
Në kushte qeveria synon që në dy vitet në vijim 2017-2018 të financojë deficitin buxhetor mbi 90 për qind nga burimet e brendshme. Rritja e kërkesës për borxh të brendshëm qysh nga ky vit po shtyn drejt rritjes normat e interesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.