Me përditësimin e fundit, i cili vihet re më qartë në kabinë, vetura japoneze bën një kërcim cilësor. Për t`iu afruar edhe më tepër konkurrentëve të famshëm
Sigurisht që teknikët e Mazda-s kanë meritë për këmbënguljen e treguar në realizimin e bindjeve të tyre. Veçanërisht për sa i përket motorit: ata ishin të vetmit që besuan tek Wankel (që do ta hasim si range extender te vetura e parë elektrike e prodhuar nga kjo kompani).
Veç kësaj teknikët e Mazda-s nuk ndoqën verbërisht shembullin e kompanive të tjera për zvogëlimin e përmasave të makinës dhe futjen e motorit turbo me benzinë, duke parapëlqyer të mbanin motorë me kubaturë të përshtatshme. Me përditësimin e fundit të Mazda 6, veturës që aspiron të konkurrojë me konkurrentët më me emër, ata i kanë mundësuar asaj të bëjë një hap përpara për sa i përket cilësisë.
Nëse nga pikëpamja estetike modifikimet janë të kufizuara tek detajet e zakonshme të pjesës së përparme dhe të pasme, në kabinën e pasagjerëve të versionit Exclusive, kur ajo është e pajisur me paketën shtesë me të njëjtin emër, progresi duket menjëherë. Ndenjëset e reja, të veshura me lëkurë Nappa, janë me ngrohje dhe të pajisura me shfryrës, ndërsa tabela e bordit është e zbukuruar me detaje të imëta druri japonez, me një shirit kamoshi dhe profile atlasi; butonat e levat e komandave, të realizuara me shije, japin një ndjesi të këndshme cilësie; madje është bërë shumë kujdes edhe për imtësitë që nuk bien shumë në sy, si për shembull për veshjet prej gome të fundit të xhepave të dyerve.
Pamjet e kabinës i referohen versionit Exclusive, e pajisur, sipas kërkesës, me paketën me të njëjtin emër (1.150 euro).
Celësi i ventilimit të ndenjëseve dhe ndërfaqja Apple CarPlay, që mund të jepet nëse kërkohet, si Android Auto, edhe për të gjitha modelet e prodhuara nga viti 2012 dhe të pajisur me impiantin MZD Connect
BENZINA ËSHTË E MIRË, POR AMA DIESEL…
Shija e parë e ngarjes së makinës u provua tek një makinë që kishte një motor 2,5 me benzinë me 194 kf, me kambio automatike me gjashtë marshe, prodhuar po nga Mazda: një motor me aspirim që nuk duket kushedi se çfarë, por që punon rregullisht e pa zhurmë, falë edhe boshteve të baraspeshës.
Në rrugët e Majorkës, kur po eksploronim ngarjen e makinës me shifrat maksimale të numrit të rrotullimeve, kompjuteri i bordit tregonte se konsumi i karburantit rritej deri në 8,8 litra për 100 km.
Megjithë politikat ndaluese ndaj makinave diesel që zbatohen në një numër gjithnjë në rritje të qyteteve të ndryshme, ia vlen të theksojmë se motori ideal për një Mazda 6 mbetet ai me naftë: motori 2,2 është ripunuar deri në imtësi dhe tani çliron 184 kf dhe 445 Nm, duke mos u ndier thuajse fare qoftë kur punon me minimumin e gazit, qoftë kur i jepet përshpejtimi maksimal.
Ky i fundit, me një kambio të shkëlqyer manuale, vazhdon deri në 5300 xhiro/ min, kurse me kambio automatike nuk kapet dot ky numër rrotullimesh madje edhe kur manovrohet me levat e vogla te timoni.
Dhe më në fund, nëse më parë motori i përmbushte normat e çlirimit të oksideve të azotit pa qenë nevoja për të shtuar katalizatorë, për t’u homologuar Euro 6 d-Temp është shtuar katalizatori Scr: furnizimi me AdBlue realizohet përmes një gryke e cila është e pozicionuar në pjesën e poshtme të bagazhit.
Roberto Bon
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.